Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pezulluar nga puna për tre muaj drejtorin e gjimnazit “Ismail Qemali” nën dyshimin se kishte lejuar që në testin e maturës t’i nënshtrohen edhe dy nxënës, të cilët nuk kishin të drejtë.
Ai ka thënë se pezullimi nga puna është bërë me qëllim që të sigurohet vijueshmëria e rregullt e pjesës së dytë të testit të maturës, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Nxënësit e komunës sonë nesër do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit të maturës. Pjesa e parë e këtij testi, e mbajtur para disa ditëve, ka kaluar pa shumë probleme. Ne si komunë, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, jemi përkujdesur që të sigurohen kushtet optimale që ky proces të zhvillohet si duhet”.
“Pas marrjes së raporteve për vijueshmërinë e pjesës së parë të testit, kemi konstatuar që në njërën nga shkollat e mesme të komunës, ka dyshime për parregullsi. Dyshimet e bazuara janë që 2 fëmijë të cilët nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit, megjithatë kanë hyrë në procedurë. Pas verifikimit të situatës, si Komunë kemi marrë vendim që drejtori i shkollës përkatëse të pezullohet në afat deri në 3 muaj”.
“Një masë e tillë është marrë që të garantohet vijueshmëri e rregullt e pjesës së dytë të testit. Rasti në fjalë do t’i nënshtrohet verifikimit përmes komisionit përkatës disiplinor”, ka thënë ai.