Ambasada e Austrisë në Kosovë ka reaguar pas raportimit se zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.
Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, ka thënë se Austria s’ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës.
“S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës”, ka shkruar ambasadori austriak në llogarinë e tij, në Twitter.
“Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”, ka theksuar ai.
Reagimi i tij vjen pasi zëvendëskancelari i Austrisë u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë.