David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në Nju Jork ka folur për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të vecantë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Phillips thotë se udhëheqësit politikë në Kosovë duhet të gjejnë një zgjidhje për presidentin pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të ndërmjetësojnë dialogun mes palëve në Kosovë. Phillips ka kërkuar që politikanët të përqendrohen në interesin kombëtar, e jo atë personal.
“Ky është një moment kur angazhimi i Shteteve të Bashkuara është thelbësor. I dërguari special amerikan mund të ndihmojë dialogun midis palëve dhe t’i bëjë ato të përqendrohen në interesin kombëtar, dhe jo në interesat personale,” tha eksperti amerikan.
Sipas Phillips, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të përcjellin një mesazh të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë, të cilin Serbia mund ta përdorë.
“Nëse udhëheqësit politikë të Kosovës nuk mund të arrijnë një marrëveshje, ka të ngjarë të ketë zgjedhje të parakohshme që mund të çojnë në pasiguri dhe paqëndrueshmëri, të cilat Serbia do t’i përdorë për të justifikuar pengimin e saj,” tha ai për Bota Sot.