Phillips: Kosova u vonua me reciprocitetin, Serbia duhet të ndalojë së kërkuari trajtim special

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Në rrugët që çojnë në këto dy pika nuk ka barriera të vendosura nga serbët dhe nga aty është larguar edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.

Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Vendimin e Kosovës për reciprocitet Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips po e sheh si të vonuar.

Ai thotë se masat e Kosovës janë plotësisht të drejta.

“Reciprociteti është ndër parimet kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës ka të drejtë të kërkojë targa të Kosovës për makinat që vijnë nga Serbia. Nëse Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim, ai është se kanë pritur shumë gjatë për këtë vendim”, deklaroi për RTV Dukagjinin, David Philips.

Madje Philips thotë se Serbia duhet të ndalojë së kërkuar trajtim special nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mendoj se Serbia duhet të ndalojë së kërkuari trajtim special nga bashkësia ndërkombëtare. Standardet e dyfishta nuk janë të zbatueshme. Forcat e KFOR-it janë aty për ta ruajtur stabilitetin, dhe ata duhet të bëjnë me dije se agresioni nga shteti serb nuk do të tolerohet më.

Sipas marrëveshjes trepikëshe, të shtunën me 2 tetor u bë largimi i barrikadave dhe Policisë Speciale nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë.


Të ngjashme