Pianisti italian Maurizio Baglini mund të quhet ëndërrimtar. I pëlqen ta mendojë botën si një vend pa kufij e pasaporta, e po ashtu edhe pa para. E di mirë se një gjë e tillë tingëllon utopike, sidomos me gjithë situatën politike që mbretëron në botë dhe globalizimin.
“Unë mendoj se pa qenë vizionar nuk arrin askund”, thotë ai. Në gjithë këtë vizion të tijin ku bota është një vend tjetër, muzika luan rol kryesor.
Me muzikë ai mëton të thyejë kufij. Baglini ka arritur që të bëjë karrierë të bujshme si solist, muzikant i veprave kamertale e orkestrale e po ashtu edhe si mësues i muzikës dhe drejtor artistik.
Ai tashmë është ngjitur në skenat më të mëdha italiane si “Teatro alla Scala” në Milano, “Accademia Nazionale di Santa Cecila”, “Teatro san Carlo of Naples”, e po ashtu edhe jashtë vendit të tij deri në Paris, Washington, Vjenë, Berlin e shumë vende të tjera.