Rrugëtimi muzikor i nisur para gati 30 vjetësh, për pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj nuk nisi krejt rastësisht. Muzika ishte me të qysh në fëmijërinë e hershme. Ajo që dikur ishte vetëm pasion, sot është bërë karrierë. Pianoja është mjeti përmes të cilit ajo më së miri e shpreh veten.
Me virtuozitet sjell tingujt në instrumentin pranë të cilit u rrit. Qarri-Haxhiaj është ngjitur nëpër skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ku ka koncertuar me emra të njohur të muzikës klasike, shkruan Koha Ditore.
Ndërsa ka mbajtur masterklase me emra të njohur si Günther Ludwig, Aki Takahashi, Kevin Kenner, Rita Trpceva e të tjerë. Asaj i pëlqen ta sfidojë veten në aspektin muzikor. Në këtë formë gjithmonë është në kërkim të veprave të vështira për interpretim.
Sfidën e fundit e pati para gati dy javësh, ku u ngjit në skenë bashkë me Orkestrën e Filarmonisë së Maqedonisë, për të interpretuar një vepër goxha kërkuese në aspektin teknik, të kompozitorit të njohur Shostakovich. Në këtë formë ajo po rrumbullakon tri dekada si pianiste, duke hulumtuar edhe më shumë në botën muzikore. Pasioni nuk i mungon asnjëherë në interpretim, dhe këtë e ka dëshmuar disa herë në koncertet që ka pasur në festivalet vendore para publikut kosovar. Në një bisedë për gazetën ajo ka rrëfyer këtë rrugëtim jo fortë të lehtë, por në anën tjetër edhe përmbushjen në aspektin shpirtëror që ia fal muzika.