Gjykata amerikane ia ka miratuar Muzeut në Madrid që ta mbajë veprën e piktorit francez Camille Pissarro, të cilën nazistët e kishin marrë prej një hebraikeje në vitin 1939.
Muzeu Thyssen-Bornemisza në Madrid tash e 14 vjet zhvillon betejë gjyqësore në ShBA me familjen e Lilly Cassirerit për ta mbajtur pikturën e artistit impresionist, transmeton Koha Ditore.
Cassirer ka qenë e detyruar që t’ua jepte nazistëve pikturën që të jetë e lirë derisa po tentonte të ikte në Gjermani jo shumë kohë para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore. Gjykata federale e Kalifornisë ka cekur se sipas ligjit piktura i takon Muzeut, i cili e kishte blerë këtë vepër në vitin 1993.
Sipas ligjeve spanjolle, nëse koleksionisti apo Muzeu nuk e dinë se një vepër artistike më herët ka qenë e vjedhur, kanë të drejtë ligjore që ta mbajnë atë.
Megjithatë gjykata kaliforniane e ka kritikuar Spanjën se nuk i është përmbajtur Marrëveshjes së Washingtonit për veprat artistike që i kanë konfiskuar nazistët. Sipas asaj marrëveshjeje, të gjitha veprat e vjedhura duhet t’u kthehen pronarëve të parë ose pasardhësve të tyre.
Gjithsej 44 vende, në mesin e të cilave edhe Spanja, më 1998 kanë nënshkruar këtë marrëveshje ndërkombëtare. Familja Lilly Cassirer mund të parashtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi, teksa ka bërë të ditur se bëhet fjalë për pikturën “Rue Saint Honore, Afternoon, Rain Effect” , e vitit 1897/ BBC.