Pilotët e kompanisë ajrore British Airways, kanë anuluar grevën e radhës, që ishte planifikuar të mbahej më 27 shtator.
Javën e kaluar, greva e thirrur nga Unioni i Pilotëve Balpa, ka detyruar kompaninë të anulojë gati të gjitha fluturimet.
Greva është pasojë e negociatave të dështuara në mes të unionit dhe kompanisë ajrore, e cila ka bërë ofertë për rritje të pagës për 11.5 për qind për tre vjet, që është refuzuar nga pilotët.
Balpa ka thënë se grevat e 9 dhe 10 shtatorit kanë dëshmuar zemërimin e pilotëve.
Ky union ka thënë edhe se “tani është koha për një periudhë të reflektimit para se konflikti të përshkallëzohet dhe të shkaktohen dëme të pariparueshme”.
British Airways ka nisur të anulojë fluturimet e planifikuara për 27 shtator nga enjtja e javës së kaluar.
Nga fluturimet e anuluara janë prekur më shumë se 200 mijë pasagjerë.
Mirëpo, Balpa tani ka thënë se shpreson që kompania ajrore “tani do të ndryshojë qasjen dhe do të negociohet seriozisht” për t’iu dhënë fund mospajtimeve.