Qeveria e Kosovës ia ka rikthyer Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës Projektligjin për Ushtrinë. Zyrtarë të ekzekutivit të vendit thonë se duhet të bëhen disa ndryshime, përderisa nga opozita thonë se po luhet “pingpong” me ushtrinë.
Qeveria e Kosovës ia ka rikthyer Projektligjin për bërjen e Ushtrisë Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), ndonëse kjo e fundit më 8 maj të këtij viti ia pati përcjellë ekzekutivit draftligjin në fjalë.
Zyrtarë të Qeverisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se një veprim i tillë është bërë në mënyrë që Projektligji për Transformimin e FSK-së në FAK të precizohet dhe të saktësohet edhe më tej. Megjithëkëtë, nuk kanë treguar nëse ushtria do të bëhet me ndryshime kushtetuese ose me anë të ndryshimeve ligjore, duke thënë se që të dyja këto opsione janë të mundshme.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ky veprim i Qeverisë është ndërmarrë me qëllimin e vetëm: për të blerë kohë sa i përket çështjet së ushtrisë. Kjo pasi siç thonë ata, nga bashkësia ndërkombëtare po kërkohet që transformimi i FSK-së të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ku nevojiten edhe votat e Listës Serbe (LS).
E pasi që LS-ja ka përsëritur edhe ditëve të fundit se nuk do ta mbështesë bërjen e ushtrisë, përfaqësuesit e opozitës paralajmërojnë rrezikun për ndonjë kompromis në dëm të Kosovës.