Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka thënë se është e drejtë që klubi t’ia ofrojë kontratën e re, sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq, përcjellë të hënën ESPN.
Ibra ka kontratë me Milanin deri në fund të këtij sezoni dhe trajneri Pioli po shpreson ta ketë sulmuesin në dispozicion edhe për edicionin e ardhshëm.
39-vjeçari, të dielën mbrëma në fitoren e thellë të Milanit kundër Crotones (4:0) shënoi golin e 500-të në karrierë për klube dhe për Pioli e sheh si lojtar shumë të rëndësishëm për ekipin.
“Ibra është një kampion i vërtetë dhe duke parë mënyrën se si stërvitet dhe luan, atëherë mendoj se është korrekte që atij t’i ofrohet kontrata e re. Zlatani është i lumtur tek ne dhe për këtë arsye dua të ai të mbetet pjesë e ekipit”, është shprehur Pioli.