Stefano Pioli ka folur pas humbjes së Milanit nga Manchester Unitedi dhe eliminimin nga Liga e Evropës, duke thënë se ekipi i tij meritonte më shumë.
Rossonerët humben në shtëpi 0-1 nga Unitedi në ndeshjen kthyese të 1/8-tës së Ligës së Evropës dhe u eliminuan pasi ndeshja e parë u mbyll 1-1.
Ky eliminim që erdhi nga një gol i Paul Pogba (48’) ka lënë shije të hidhur te trajneri Pioli, i cili mendon se ekipi i tij meritonte të kualifikohej.
“Është një eliminim që vërtet na zhgënjen, sepse gjatë dy ndeshjeve kemi luajtur si një ekip i shkëlqyeshëm dhe duhet të kishim shënuar në pjesën e parë”, ka thënë fillimisht Pioli për Sky Sport Italia pas ndeshjes.
“Është për të ardhur keq, ne bëmë aq shumë për të arritur këtu dhe ekipi meritonte të vazhdonte, por na duhej t’i jepnim pak më shumë. Nuk mendoj se e meritonim të eliminoheshim”.
“Ne po flasim për një skuadër të Manchester United që arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Evropës sezonin e kaluar, që ishte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve këtë sezon dhe dy javë më parë mundi Manchester Cityn 2-0”.
“Përgjatë dy ndeshje, bëmë shumë mirë, por dy golat që pësuam ishin më shumë për gabimet tona sesa për meritat e tyre, kjo është ajo që është zhgënjyese”.
“Është e vështirë për mua të qortoj djemtë e mi pas dy paraqitjeve me zemër, shpirt, vendosmëri, guxim dhe cilësi”.
“Tani ne duhet të kthehemi në rrugën e duhur në Serie A”, përfundoi trajneri i Milanit.