“Thjesht, mendoj se jam e dëmtuar, vërtet e dëmtuar”, thotë Jane Couch me qetësi, ndërsa lotët po i rridhnin nëpër faqe. Trupi i saj dridhet. Kjo është kostoja e dhimbshme e të qenit pioniere e boksit të femrave në Britani. Couch ishte kampione e pesëfishtë e botës, së cilës i ishte ndaluar të boksonte në vendin e vet. Mbi 20 vjet më parë Bordi i Kontrollit të Boksit në Britani (BBBofC) insistonte se femrat janë tepër të brishta emocionalisht për të boksuar.
Rrugës për te Couch dëgjojmë lajmin se Katie Taylor, boksierja e shkëlqyer irlandeze, do të jetë në mbrëmjen e 2 nëntorit në Manchester. Pa insistimin dhe guximin e Couchit, Taylor nuk do të ishte në këtë pozitë, shkruan sot Koha Ditore.
Couch u desh të fitonte rast gjyqësor kundër BBBofC për të bërë histori në sportin britanik në gusht të vitit 1998. Bernard Buckley, avokati i Federatës britanike, kishte ndërtuar rastin mbi atë se “shumë femra vuajnë nga tensioni paramenstrual që i bën më emocionale dhe më labile dhe të prira për lëndime. Janë tepër të brishta për të boksuar dhe mavijosen lehtë”.
Por Couch tregoi guximin e saj duke fituar titullin e parë të botës në vetëm meçin e saj të pestë në vitin 1996. Ajo kishte udhëtuar në Danimarkë për t’u përballur me Sandra Geigerin, një kampione bote nga Franca që vinte nga e kaluara në kikboks. Couchit iu thye nofulla, mollëzat e fytyrës, kapaku i syrit iu dëmtua, iu thyen brinjët dhe humbi edhe një dhëmbë, por prapë fitoi me vendim unanim pas dhjetë raundeve. Ajo dhe Geiger përfunduan në spital.
Titujt e saj të botës dhe fitorja e saj historike ligjore nuk sollën ndonjë përfitim për Couchin.
Ajo prapë kishte probleme për të siguruar meçe dhe kishte shumë raste kur udhëtonte jashtë dhe, pas meçeve brutale, nuk merrte as pagesë. Në shtëpi Couch ishte shmangur nga promotorët e boksit dhe ishte bërë shënjestër e talljeve nëpër televizione apo tabloide.
Ajo u pensionua nga boksi dhjetë vjet më parë, por po e jeton traumën e kaluar dhe e qeshura e saj zëvendësohet nga vaji.
Kur bëjmë një pauzë gjatë intervistës, pasi Couch është shumë e prekur, ajo thjesht thotë: “Uroj të mos kisha qenë e para. Uroj të mos kisha kaluar nëpër gjithë atë rrëmujë”.