Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka publikuar rezultatet e anketës me titull “Politika ndërkombëtare dhe dialogu Kosovë – Serbi: Perceptimet e qytetarëve të Kosovës”. Sipas këtyre rezultate, 48 për qind e të anketuarve besojnë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me një marrëveshje derisa 41.8 për qind e të anketuarve nuk besojnë që marrëveshja përfundimtarë do ta përmirësojë jetën e tyre, raporton Ekonomia Online.
Në këtë anketë, Jon Krasniqi nga PIPS, ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe për preferencat e tyre për politikanë.
“Ndër serbët e Kosovës, presidenti i Rusisë Vladimir Putin mbetet ende lideri i preferuar, me 90 për qind. Presidenti Macron gëzon poashtu një pëlqim”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka theksuar se rezultatet kanë treguar se shumica dërmuese e të anketuarve shqiptarë e konsiderojë Serbinë si kërcënim për sigurinë rajonale dhe shumica e të anketuarve mendojnë që SHBA-ja duhet të jetë partneri kryesor ekonomik i Kosovës.
Krasniqi ka thënë se rezultatet tregojnë që 80 për qind e të anketuarve e shohin pozitivisht BE-në. Krasniqi ka thënë se shihet optimizëm i lartë rreth qëndrimit të BE-së ndaj Kosovës.
Sipas Krasniqit shumica e të anketuarve sipas tij, besojnë që Kosova do të anëtarësohet në BE brenda dekadës së ardhshme.
Krasniqi ka thënë se gjysma e të anketuarve besojnë që vizat do të liberalizohen gjatë 2023, e pjesa tjetër janë dekloaruar se kjo s’do të bëhet deri në vitin 2025.
Gati gjysma e të anketuarve, sipas Krasniqit janë shprehur se janë të kënaqur me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës.
Ndërsa shumica e të anketuarve apo mbi 68 për qind, ka thënë se besojnë që pozita e Kosovës është përmirësuar në vitet e fundit
Në këtë anketim kanë marr pjesë 865 shqiptarë dhe 200 serbë, prej të cilëve 60 për qind nga zonat urbane 40 për qind nga zonat rurale.
Në publikimin e këtyre rezultateve ka marr pjesë edhe shefi i zyrës së Fondacionit Konrad Ademauer Stiftung për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Daniel Braun.
Ai ka theksuar se nuk duhet të shpresohet që të ketë mrekulli në dialog, por se sipas tij çfarëdo përparimi është një lloj arritjeje.
“Ka shumë shpresë se mund të vazhdojmë para për të dyja vendet dhe gjithashtu e di që ndonjëherë është shumë e vështirë të dëgjosh në Kosovë për kompromise …Besoj që një marrëveshje e qëndrueshme për Kosovën ka nevojë për kompromis … edhe kompromisi do të jetë në favor të vendit”, ka theksuar Braun duk shtuar se të dyja palët duhet të punojnë më shumë që të kenë një të ardhme më të mirë.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të pranojë asnjëherë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Propozimi franko-gjerman nuk kërkon njohje formale nga Serbia por kërkon që të mos e pengojë rrugën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Edhe Kurti edhe Vuciqi janë në trysni shumë të madhe vendore. Nëse Vuciq thotë se është kundër çdo gjëje atëherë mund të ndërpresim negociatat se është kundër propozimit … por nuk është ashtu. Unë e kuptoj plotësisht por ky është dokumenti tash për tash, por të gjitha këto komunikime do t’i lexoja si pjesë të negociatave. Duhet ta keni parasysh që tani për tani ka shumë trysni mbi të gjitha qeveritë”, ka deklaruar Braun.
Gëzim Visoka, profesor asistent në Dublin City University, ka theksuar se qytetarët dhe liderët vazhdojnë të jenë properëndimor. Sipas tij qëndrimi properëndimor sa është organik është edhe për shkak të izolimit.
Derisa për pikëpamjet e qytetarëve shqiptarë që e perceptojnë Serbinë si kërcënues kryesor, ka thënë se kjo tregon për një situatë të ndjeshme polarizuese që sipas Visokës lehtë mund të përkthehet në një konflikt.
“Mungesë të transparencës qoftë nga BE-ja por edhe nga palët e tjera në dialog, lidhur me atë se çfarë po diskutohet apo cilat do të jenë përfitimet. Mosinformimi publik në veçanti dykuptimësia që e ka përcjellë ky dialog është përcjellë në mos dije për të. Vet procesi i dialogut ka ndikuar në legjitimitetin e dialogut”, ka deklaruar Visoka.