Pique e fajëson parasezonin për startin e dobët të Barcelonës

Prishtinë | 25 Sht 2019 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Gerard Pique e fajësoi agjendën e turneut parasezonal të Barcelonës për startin e dobët në këtë sezon të ri, 2019/20, pas fitores me rezultat 2:1 kundër Villarrealit të martën.

Presioni mbi trajnerin Ernesto Valverden dhe pozitën e tij në “Camp Nou” u zvogëlua paksa pas fitores së mbrëmshme, me të cilën Barcelona i arriti dhjetë pikë nga gjashtë ndeshje të La Ligës.

Përderisa tha se nuk dëshiron të arsyetohet, Pique shtoi se turneu parasezonal i Barcelonës, që udhëtoi në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndikuar në startin e tyre të ngadaltë në këtë sezon të ri.

Lionel Messi e bëri paraqitjen e tij të parë si titullar për këtë sezon të ri, mirëpo ai e pësoi një lëndim tjetër sërish dhe u detyrua ta lë fushën e lojës pas pjesës së parë, duke u zëvendësuar nga Ousmane Dembele.

“Parasezoni nuk na ndihmoi neve aspak që ta nisim sezonin e ri mirë, patëm shumë udhëtime dhe shumë pak stërvitje”, tha Pique, pas ndeshjes.

“Shumë prej nesh e vërejtëm këtë dhe ende nuk jemi në formë, jo vetëm Messi, por ne duhet të vazhdojmë përpara sepse jemi të detyruar të fitojmë”.

“Shikoni çfarë i ka ndodhur tash Messit, por s’ka justifikime. Në skuadër kemi njerëz të kualifikuar për ta zëvendësuar atë dhe të ecim përpara, edhe pse do të tentojmë ta kemi atë jashtë skuadrës për një kohë sa më të shkurtë që të jetë e mundur”.

Barcelona arriti t’u kthehet fitoreve në ndeshjen e mbrëmshme, duke siguruar rezultat 2;1 kundër Villarrealit, falë golave të shënuar nga Antoine Griezmann dhe Arthur Melo e përkundër golit të Santi Cazorla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme