Pique shpërthen pas humbjes nga Atletico: Edhe po të luanim tri orë nuk do të shënonim

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Barcelona nuk po mund të këndellet, pasi ka pësuar një tjetër humbje, ku kësaj radhe në kampionat.

Gjiganti katalunas u mposht në Wanda Metropolitano nga Atletico Madrid me rezultat të pastër 2-0.

E për problemet e mëdha të Barcelonës ka folur edhe mbrojtësi veteran, Gerard Pique.

Qendërmbrojtësi spanjoll ka deklaruar se prisnin që të humbisnin, pasi sipas tij edhe tri orë po të luanin, nuk do të shënonin gol.

“Kemi humbur dhe ishte një rezultat që e prisnim, por nuk e donim. Tani le të pushojmë e të përfitojmë nga pushimi i kampionatit dhe t’ia nisim nga e para. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, u sulëm përpara dhe pësuam dy gola me një kundërshtar që u përpoq shumë pak”.

“Mund të luanim për tri orë dhe nuk do të shënonim gol. Gjërat janë keq, por na mbetet të punojmë, të pushojmë dhe të kthehemi me më shumë forcë. Dy situatat e golit janë shumë të ngjashme dhe prandaj po diskutonim me Busquets”, tha Pique.

Se ka probleme të mëdha te Barcelona, këtë e ka deklaruar edhe Pique, me mbrojtësin spanjoll që ka thënë se problemet tek klubi i tij i sheh edhe një i verbër.

“Nuk është se ka vetëm një problem, njerëzit e dinë, edhe një i verbër e sheh. Janë kohëra të vështirë dhe ne do e kalojmë këtë periudhë”.

Gjithsesi sipas spanjollit atmosfera në dhomat e zhveshjes mbetet e mirë, pasi lojtarët shkojnë mirë me njëri tjetrin.

Të ngjashme