Pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se Pakoja Fiskale II e cila pritet të hyjë në fuqi, për herë të parë në tregun tonë do të barazoj prodhuesit vendës me ata të jashtëm.
Megjithëse ai ka theksuar se përkrahja e politikës ndaj sektorit prodhues ka qenë e ngadalshme, por shpreson se me Pakon Fiskale II do të ndryshojnë gjërat. Këto komente ai i ka bërë në Panairin “ESNAF” që është mbajtur të shtunën në Prizren, raporton Ekonomia Online.
“Mendoj se jemi para ndryshimeve jashtëzakonisht të mëdha presim të filloj zbatimi i Pakos Fiskale II, e cila për herë të parë do të barazojë në tregun tonë prodhuesit kosovarë me prodhuesit e vendeve të CEFTA-s, gjë e cila na ka penguar jashtëzakonisht shumë.
“Mendoj se në të ardhmen duhet të bëjmë shumë më shumë për ekonominë tonë, të jemi më sy qelë, më të angazhuar dhe të punojmë shumë më shumë, të mos i lëmë çështjet në kohë. Po shpresojmë që patjetër duhet të kemi edhe përkrahjen e politikës, e cila për fat të keq ka qenë jashtëzakonisht e ngadalshme, por shpresojmë se tash e tutje do të ndryshojnë gjërat”, tha Piraj.
Ai ka folur edhe për panairin dhe rolin e tij tek bizneset.
“Panairi i gjashtë me radhë i Shoqatës ‘ESNAF’ është panair i cili po tregon edhe sivjet ndryshimet në qoftë se ka nga ju që e ka përcjell shoqatën ‘ESNAF’ nga panairi i parë deri sot për çdo vjet ka pasur risi. Biznesmenët, anëtarë të ‘ESNAF’-it kanë treguar se edhe pse ne jemi një vend i vogël në qoshe të Evropës kemi dije dhe kapacitete të prodhojmë produkte të standardeve të larta evropiane dhe sot këtu kemi prezent shumë produkte të cilësisë jashtëzakonisht të lartë me të cilën cilësi ne mburremi si shoqatë por mburremi edhe si kosovarë”, ka thënë Piraj.