Dikur, kur shqiptarët shtypeshin nga Serbia, e vuanin në shpirt edhe shtypjen e palestinezëve nga Izraeli. “Palestinezët janë populli më i shkolluar në botë”, thoshin shqiptarët, që assesi nuk dinin se nga vinte kjo statistikë.
Sidoqoftë, lideri i dikurshëm palestinez, Yasser Arafati, në çdo takim që kishte me burrështetas të shteteve të zhvilluara, kërkonte shanse për shkollimin e pjesëtarëve të popullit të tij. Lideri i ish-Jugosllavisë komuniste, Josi Broz Tito, atë dëshirë ia plotësonte. Dhe, jo vetëm Arafatit, po çdo lideri të çdo shteti që ishte pjesë e Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Por, cilat ishin kriteret për studentët nga këto shtete, në universitetet e fuqishme të ish-Jugosllavisë – ku përjashtim nuk bënte as ai i Universitetit të Prishtinës, tek i cili studionin plotë të huaj?
“Kishin standarde të dyfishta për të painkuadruarit”, thotë farmacisti Adnan Mustafa, i cili në vitet ’80 të shekullit të kaluar kishte studiuar Farmacinë në Universitetin e Beogradit. “Diplomonin në afat, pa e ditur madje si duhet serbokroatishten – gjuhën me të cilët kryenin studimet”.
Pra, kriteret për vendasit ishin të ashpra, po jo edhe për të huajt që do të “thyenin qafën” te shtetet nga ku vinin. Kështu, del që përqindja e madhe e të shkolluarve palestinezë – edhe po të ishte më e madhja në botë – prapë nuk është barometër i një arsimimi të mirëfilltë.
***
Sot Kosova është ndoshta vendi që prin me numrin e të “shkolluarve”. Në këtë shtet janë shtatë universitete publike e 25 private. Përderisa në Gjermani apo në Britani të Madhe është një universitet për 200 mijë banorë, Kosova me afro 1.8 milionë banorë ka një universitet për diku 56 mijë banorë. Anomalia më e madhe zbërthehet me këtë fakt: derisa në Gjermaninë me 82 milionë banorë janë 3-4 mijë studentë aktivë të Juridikut, Kosova i ka afro 14 mijë!
E, kush janë këta studentë dhe mësimdhënës të tyre?
Janë pasqyrë e asaj që ka përshkruar Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Sipas testit të vitit 2015, fëmijët e moshës 15-vjeçare në Kosovë, janë pak të lexueshëm, dinë gati asgjë për shkencën dhe janë matematikanë të dobët. Më keq se Kosova qëndrojnë veç nxënësit e Algjerisë dhe ata të Republikës Dominikane.
Ky rezultat është pasqyrë edhe e anomalisë në çdo institucion arsimor, deri te Akademia e Shkencave ku gjatë inaugurimit të objektit të saj të ri më 2010, u vu pllaka me një thënie kot të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi: “Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”!
***
Përkitazi me këtë, ia vlen të tërhiqet një paralele me të kaluarën. Dikur, gjatë monizmit, në Gjykatën e Gjilanit ishte dërguar një i porsadiplomuar në Juridik, për ta kryer punën praktike.
“Më ka lodh, një referat nuk dinte ta shkruante”, ishte reagimi i një juristi me përvojë, që merrej me këtë injorant.
Por, i porsadiplomuari martohet me vajzën e një funksionari të pushtetshëm dhe me ndihmën e pushtetit bëhet kryetar i Gjykatës. Atëherë, të gjithë thoshin për të: “Djalë i ri, i zgjuar dhe me perspektivë”!
E, mentori që e njihte, plaste duke u ankaur: “Unë bre po e di se si e bënë të madh, por a po më tregoni kush se si e bënë të mençur”?
Këtë jurist e bëri të “zgjuar” pushteti, e Thaçin e bëri edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë i shkencës dhe artit në vend!
***
Kështu, PISA është pasqyrë e mjerimit në të cilin gjendet Kosova. Gazetari Agron Halitaj thotë se shkollimi i lartë është shndërruar në “sportel për dhënie diplomash”. Ndaj, këta nxënës, kush kanë mundësi materiale, do të bëhen lehtë nesër me diplomë fakulteti e nga ta do të varet e ardhmja. Sepse, në shtetet pa resurse, zhvillimi ekonomik është i ndërlidhur me edukimin. Ndërkaq, kush ka krah polik, do të sundojë me vendin e ç’është më e keqja, do të mbahet për të mençur e do të thur fjalë “të mëdha”!
Gjithçka është e mundshme, kur edukimi shndërrohet në degë të politikës. Për këtë, avokati Kujtim Kërveshi thotë: “Politika duhet të heq dorë nga arsimi, sepse shkollat nuk mund të mbahen me militantë politikë dhe nga shkollat nuk mund të ushqehet politika me vota. Këta nxënës të testuar sot nga PISA, nesër duhet të jenë bartës të proceseve! Ky është fundi i pusit”!
Numri i madh i studentëve në universitetet publike e private të Kosovës i kontribuon veç pushtetit, për të ulur statistikat e të papunëve (studentët nuk llogariten si të papunë). Këtë politikë e kanë aplikuar më parë shtetet e Lindjes së Mesme. Atje u shtua numri i universiteteve, me drejtimet që nuk kanë lidhje me realitetin dhe kërkesat e punës në vend. Niveli i atyre që dilnin nga shkollat e mesme – me nivel të ultë arsimimi – e që regjistroheshin pa problem në arsimin e lartë, arrinte madje në 75 për qind. Të gjithë u bënë të “shkolluar”, si palestinezët! Por, këto statistika u kthyen në bumerang: shpejtë, numri më i madh i të papunëve ishte me diploma universitare dhe ishin pikërisht këta që ndezën fitilin e asaj që do të njihet më vonë si Pranvera Arabe.
PISA pra bën me dije se aty ku arsimi është në nivelin pis, shteti mund të bëhet edhe më pis! (Telegrafi)