Pjesëmarrja e Freemanit në Kampionatin Botëror u prit me kritika të përziera

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Morgan Freeman po kritikohet ashpër nga publiku për faktin se ndihmoi në hapjen zyrtare të Kampionatit Botëror 2022 në Katar.

Aktori i shpërblyer me “Oscar” ishte narrator i segmentit “The Calling”, në stadiumin “Al-Bayt” në Doha, shkruan portali “NME”.

Para turmës së pranishme, Freeman tha: “Jemi mblidhur këtu si një fis i madh dhe Toka është tenda ku jetojmë të gjithë. Futbolli shtrihet në të gjithë botën, bashkon kombet në dashurinë e tyre për lojën e bukur. Ajo që bashkon kombet bashkon edhe komunitetet”.

Por, paraqitja e aktorit në këtë ngjarje u kritikua nga shumë njerëz në rrjetin social Twitter.

Një person shkroi: “Për një burrë që e portretizoi Nelson Mandelan, i cili e dinte më mirë se çdokush ndikimin dhe rëndësinë e izolimit në një shtet, është shumë zhgënjyese ta shohësh Morgan Freemanin duke e shitur veten për para dhe njëkohësisht duke e mbështetur një regjim shtypës”.

Por, kishte edhe persona të tillë që e lavdëruan aktorin duke shkruar: “Sapo lexova rrëfimin e plotë që Morgan Freeman e dha në hapje dhe duhet të them se është magjepsës, bota duhet të dëgjojë”.

“Narracioni i Morgan Freemanit në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror ka një ndjesi të rrallë të thellësisë shpirtërore. Përtej bekimit të tij me një zë madhështor, është e vërteta në mesazhin e tij. Ajo që na bashkon këtu në këtë moment është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Do të ishte mirë sikur të gjithë t’i përmbaheshim kësaj”, shkroi një tjetër ndjekës në Twitter.

Mendimet e përziera të publikut rreth pjesëmarrjes së yjeve në këtë ngjarje madhore sportive vijnë pasi, Katari dhe organizatorët e Kampionatit Botëror, po vazhdojnë të kritikohen për vdekjen e punëtorëve migrantë në krijimin e stadiumeve dhe qëndrimin e këtij shteti ndaj homoseksualizmit, që është ilegal në Katar.

Disa prej yjeve që e kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje janë, Dua Lipa, e cila i bëri thirrje Katarit që t’i përmbushë të gjitha premtimet për të drejtat e njeriut që i bëri kur e fitoi të drejtën për ta organizuar Kampionatin Botëror, si dhe Rod Stewart i cili zbuloi se gjithashtu e kishte refuzuar mundësinë për të qenë pjesë e festimeve për arsye morale.

Në anën tjetër, Robbie Williams, e mbrojti vendimin e tij për të performuar në Katar, duke thënë: “Unë nuk e përkrahi asnjëherë shkeljen e të drejtave të njeriut. Por, të jemi real, sikur do t’i shikonim gjërat në hollësi dhe nuk do ta toleronim shkejen e të drejtave njerëzore kudo, atëherë unë do ta realizoja turneun më të shurtër që bota e ka njohur ndonjëherë. Madje, nuk do të mund të performoja as në kuzhinën time”, deklaroi këngëtari.

Jung Kook nga grupi K-Pop i Koresë Jugore, “BTS”, gjithashtu performoi në ceremoninë e hapjes përpara ndeshjes ndërmjet Katarit dhe Ekuadorit.

Të ngjashme