Pjesëmarrja e Radojiçiq në grupin terrorist – Kurti: Është jetike ringjallja e pluralizmit politik te serbët e Kosovës

Prishtinë | 27 Sht 2023 | 10:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se sulmi i të dielës në Banjskë ka dëshmuar për rrezikun, qëllimin dhe potencialin e grupeve kriminale e terroriste serbe në veri. Ai ka thënë se në Banjskë u konfiskua sasi e armatimit me vlerë mbi 5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se të dielën u cenua sovraniteti i shtetit, integriteti dhe siguria kombëtare. Ai u ka propozuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të falënderojnë policinë e Kosovës kudo që t’i takojnë.

Ai po ashtu ka thënë se sulmi ka shfaqur nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në mbrojtjen e kontrollin e kufirit me Serbinë. Kurti shtoi se pas dokumentimit për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në sulmin në Banjskë, është vërtetuar edhe se është jetike ringjallja e pluralizimit politik për serbët e Kosovës.

“Përballë kësaj u dëshmua profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i plotë për ta mbrojtur Republikën. Është suksesi më i madh që nga shpallja e pavarësisë, sukses që na bën krenar të gjithëve. Andaj sot ju ftoj të gjithëve këtu, gjithë qytetarët e Kosovës, të falënderojnë policinë në uniformë kudo dhe kurdo që i shohin”, ka thënë Kurti.

“E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme e kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm”, ka thënë Kurti.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 162-të të Qeverisë:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që fillimisht  t’ju ftoj për një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, shtetit të së drejtës, integritetit territorial dhe atdheut.

Lavdi!

Të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

Po atë ditë, është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë,  me Presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes. 

Përballë kësaj, është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së Pavarësisë. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj, sot ju ftoj të gjithëve, juve këtu, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë, kudo e kurdo që i shihni: në mëngjes, gjatë ditës,  a në mbrëmje,  në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik. Ju faleminderit për shërbimin tuaj.

Sulmi terrorist i së dielës, gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur, me gjuhë të qartë e të përveçme, dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.

Sepse kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore, të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar.

Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës së Serbe, Millan Radoiçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë.

Për fund, meqë sulmi i së dielës ishte aq djallëzor sa për të vendosë në mes një kult fetar, i cili po ashtu është monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, para se ta vazhdojmë mbledhjen e Qeverisë, me pikat e tjera të parapara për sot, dua t’ia kaloj fjalën ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ju falemnderit.

Të ngjashme