Pjesëtari i ZPS-së e pohon se Shukri Buja, Nuredin Ibishi dhe Sokol Bashota treguan në publik se janë intervistuar

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon në rastin ndaj Thaçit,  dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, pohoi se Shukri Buja, Nuredin Ibishi dhe Sokol Bashota kanë dhënë informata për publikun se janë ose do të intervistohen nga ZPS-ja.

Dëshmitari tha se një prej arsyeve që Shukri Bujës nuk i janë vendosur masat mbrojtëse ka qenë se është një person publik dhe njihet në mbarë Kosovën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, ai pohoi që vetë Shukri Buja ka thënë për shtyp se është intervistuar nga Prokuroria më 2019-ën.

Pas pyetjeve për Shukri Bujën, dëshmitari u pyet për Sokol Bashotën. Edhe për atë, tha se nuk iu vendosën masa mbrojtëse për shkak se ishte figurë publike.

Sipas dëshmitarit, Bashota kishte deklaruar vetë se ishte intervistuar nga Prokuroria në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.

Ndërsa, për Nuredin Ibishin, ndonëse deklarimi ishte i njëjtë për masat mbrojtëse, dëshmitari tha se para se të jepte intervistë për ZPS-në, ai kishte dëshmuar në një çështje tjetër gjyqësore.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një artikull i 20 tetorit 2019 në të cilin thuhej se Nuredin Ibishi intervistohej nga Specialja.

Sipas artikullit, Ibishi kishte thënë vetë se është ftuar në Hagë që të jep intervistë si dëshmitar.

Dëshmitari pohoi se Nuredin Ibishi ka diskutuar në media ngjarje që pretendohet se i përkasin periudhës së luftës.

Të gjitha dokumentet e prezantuara lidhur me këta tre persona u pranuan në prova materiale.

Me kaq përfunduan pyetjet e avokates së Hashim Thaçit, Sophie Menegon për këtë dëshmitar. Pas pushimit të drekës, me pyetje për këtë dëshmitar do të vazhdojnë ekipet tjera të mbrojtjes.

Të ngjashme