Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori i Hetimeve në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Doganën e Kosovës, ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar lidhur me veprat penale “kontrabandë me mallra” dhe “shmangie nga tatimi”.
PK thotë se arrestimi erdhi pas hetimeve intensive për veprimtarinë kriminale, në vazhdimësi, të të dyshuarve.
“Dy të dyshuar shtetas të Maqedonisë, bënin furnizimin me mallra (metale të çmuara) nga Maqedonia, duke ikur nga pagesa doganore, ndërsa katër të dyshuar (shtetas te Kosovës) shmangeshin nga pagimi i tatimeve të parapara me ligj”, saktësohet në njoftimin e PK-së.
Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, më 25 dhe 26 janar 2018, në pesë rajone: Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Gjilan, është kryer kontrolli i lokaleve të argjendarive, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes të provave për veprimtarinë kriminale.
Të dyshuarit e arrestuar janë:
· H. R. lindur me 1987 m/sh/maqedonas
· S. R. lindur me 1982 m/sh/maqedonas
· V. K. lindur me 1979 m/sh/kosovar
· V. H. lindur me 1961 m/sh/ kosovar
· B. M. lindur me 1961 m/sh/ kosovar
· F. K. lindur me 1988 m/sh/ kosovar
Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale:
3 kg e 850 gramë stoli ari,5 kg stoli argjendi,3 revole kalibrash të ndryshëm,97 fishekë,1 veturë,3 telefona.
Personat e dyshuar, (dy prej tyre) në bazë të urdhrit të prokurorit dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore, ndërkaq katër janë liruar në procedurë të rregullt.