Plaçkitja e armatosur në autostradën “Ibrahim Rugova”, dyshohet se shoferit të postës iu grabitën rreth 10 mijë euro

Prishtinë | 24 Tet 2025 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Një plaçkitje e armatosur raportohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Duhël.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se incidenti është raportuar rreth orës 07:45 nga një 44-vjeçar, drejtues i automjetit të grabitur.

Sipas tij, të dyshuarit e armatosur, nën kërcënim dhe me forcë, kanë marrë disa zarfa të mbyllur që dyshohet se përmbanin para, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes me një automjet të tipit Golf.

“Sot, më datë 24.10.2025, rreth orës 07:45, një person mashkull, 44-vjeçar, ka raportuar në polici se derisa ishte duke drejtuar një automjet tip kombi, postë private, në dalje të autostradës në fshatin Duhel, është ndaluar dhe sulmuar nga persona të panjohur. Të dyshuarit, nën kërcënim dhe me forcë, i kanë marrë disa zarfa të mbyllur që dyshohet se përmbanin para. Viktima nuk ka lëndime dhe nuk e di shumën e saktë të parave të grabitura, pasi zarfat kanë qenë të mbyllura. Policia ka reaguar menjëherë dhe është duke u marrë intensivisht me rastin. Deri më tani dyshohet se ishin disa persona dhe ishin të armatosur, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të tipit Golf. Hetimet janë në zhvillim me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve”, ka njoftuar Bytyqi.

Të ngjashme