Kreu i Komunitetit të Myslimanëve Shqiptarë, Bujar Spahiu ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në xhaminë ‘Dine Hoxha’ ku 5 besimtarë myslimanë u plagosën me thikë nga një 34-vjeçar.
Ngjarja ndodhi tek rruga e Kavajës rreth orës 14:00. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahiu i bëri thirrje organeve përkatëse që të zbardhet sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani.
REAGIMI I SPAHIUT
U informova nga Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë Dine Hoxha.
Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami.
Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë ramazani.