Plakja e popullsisë do të ngadalësojë rritjen ekonomike të Shqipërisë me gati 0.7 pikë përqindje në vit për tri dekadat e ardhshme.
Paralajmërimi vjen nga një analizë e detajuar që Fondi Monetar Ndërkombëtar u ka bërë zhvillimeve demografike në vendet e Evropës Lindore si dhe perspektivën e tyre për 30 vjetët e ardhshëm.
Sipas FMN, vetëm për shkak të plakjes dhe tkurrjes së popullsisë, në vitin 2050 prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të jetë 25 për qind më i ulët nga sa do të ishte nëse vendi nuk do të përballej me krizën demografike.
Plakja e popullsisë e ngadalëson rritjen ekonomike përmes dy kanaleve kryesore. I pari është ai i pakësimit të krahut të punës, pasi më pak punëtorë do të thotë më pak prodhim. Ndërsa kanali i dytë sipas FMN është faktori i produktivitetit, pasi vendet me moshë më të re popullsie tentojnë të jenë më produktive.
Sipas analizës së FMN presionet demografike do të prekin të gjitha vendet e rajonit tonë, për shkak të emigrimit, dhe rritjes së moshës mesatare të popullsisë. Kjo do të ngadalësojë rritjen e mirëqenies në rajon, dhe përafrimin e nivelit të të ardhurave me mesataren e Bashkimit Evropian.
Ekspertët e FMN llogarisin se në vitin 2050, të ardhurat mesatare të Shqipërisë do të jenë ende sa gjysma e mesatares së Bashkimit Evropian duke parashikuar kështu një konvergjencë të ngadaltë në standardin e mirëqenies.