Planet e xhandarmërisë, KFOR: Po i ndjekim nga afër deklaratat

Prishtinë | 20 Maj 2026 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Pushteti ka njoftuar se kanë filluar procedurat për formimin e një strukture të veçantë të sigurisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se xhandarmëria do të ketë një gamë të gjerë të përgjegjësisë. Lidhur me këtë nismë Gazeta Express ka pyetur KFOR-in, nga ku është bërë e qartë se po ndjekin nga afër deklaratat nga institucionet e Kosovës mbi këtë çështje.

Në përgjigjen e KFOR për Gazetën Express thuhet se “NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të ofrojë kontributet e veta për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, për të mirën e të gjithëve. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i siguron një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

Tutje, KFOR thekson se “në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes koordinimit të ndërtimit të kapaciteteve, arsimit dhe trajnimit”.

“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë në këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, përfundon përgjigja e KFOR për këtë çështje.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, Kevin Hamilton, me të cilin sipas ZKM-së, është folur edhe për Xhandarmërinë.

“U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, ka njoftuar ZKM.

Të ngjashme