Gazetari i gazetës gjermane “FAZ”, Michael Martens, përmes një postimi të bërë në rrjetin social ‘’X’’, i ka bërë analizë një editoriali të përbashkët që e kanë shkruar bashkë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Dy liderët ballkanikë, në shkrimin e tyre, kanë folur për raportet e vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian, më saktësisht për idenë e anëtarësimeve të reja dhe mënyrat e bashkëpunimit mes tyre.
Martens, shkruan se Rama dhe Vuçiq, në opinionin e tyre të përbashkët, nuk insistojnë në anëtarësimin në BE, porse, liderët, ‘’mbështesin pranimin e vendeve të tyre në Tregun e Përbashkët Evropian dhe Zonën Shengen’’.
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengen dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sillte përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të Unionit”, citon Mertens të kenë shkruar Rama dhe Vuçiq në opinionin e tyre të publikuar në FAZ.
Tutje, gazetari gjerman thekson se si presidenti i Francës Emmanuel Macron, prej vitesh ka paralajmëruar se Evropa duhet të gjejë rrugë të tjera përveç anëtarësimit të plotë për të mbajtur pranë Ballkanin Perëndimor.
Martens, në postimin e tij, vazhdon të citoj Ramën e Vuçiqin të kenë thënë se ata e kanë shkruar ‘’këtë artikull sepse e pranojmë se Evropa sot përballet me dy qëllime po aq legjitime. Vendet kandidate kërkojnë një rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë. Shtetet anëtare kërkojnë të ruajnë efektivitetin dhe unitetin e Unionit. Ky tension nuk duhet të jetë një dilemë me fitues dhe humbës.”
Më tej, Martens në postimin e tij, vlerëson se nëse merret seriozisht nga të gjitha palët, atëherë kjo mund të nisë një përparim dhe t’i japë fund stagnimit të zgjerimit që tashmë ka hyrë në dekadën e tij të dytë. Po ashtu, shton ai, kjo ide nuk ka origjinën te Vuçiç dhe Rama, por ata janë politikanët e parë të fuqishëm që e përqafojnë publikisht dhe qartë si të tyren, transmeton Express.
Postimi i plotë i Martens:
Dalje nga stagnimi? Në një opinion të përbashkët për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk këmbëngulin në anëtarësim në BE, por mbështesin pranimin e vendeve të tyre në Tregun e Përbashkët Evropian dhe në Zonën Shengen.
“Shumë evropianë pyesin nëse BE-ja mund të funksionojë në mënyrë efektive me dukshëm më shumë anëtarë. Shqetësimet për vendimmarrjen, balancën institucionale dhe kohezionin politik janë legjitime”, shkruajnë Rama dhe Vuçiç, duke shtuar: “Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë.”
Kjo është arsyeja pse Rama dhe Vuçiç propozojnë shmangien e kurthit të vetos duke lejuar ato vende kandidate që përmbushin kushtet të hyjnë në Tregun e Përbashkët Evropian dhe në Zonën Shengen, në vend që të synohet anëtarësim i plotë politik në BE, të paktën për momentin.
“Një qasje e tillë nuk do ta rëndonte arkitekturën vendimmarrëse të BE-së dhe nuk do të (…) ndryshonte balancën institucionale të BE-së. Ajo nuk do të nënkuptonte dhënien e të drejtës së vetos, komisionerë shtesë, anëtarë shtesë të Parlamentit Evropian apo ndryshime në strukturat e votimit.”
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengen dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sillte përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të Unionit”, thuhet në opinion.
“Ne besojmë fuqishëm se ky hap do të lehtësonte shqetësimet e atyre shteteve anëtare që hezitojnë për zgjerim të mëtejshëm, duke ua bërë gjithashtu shumë më të lehtë që ta paraqesin procesin në mënyrë bindëse para opinionit të tyre publik”, shtojnë dy politikanët me përvojë.
Nisma e tyre është pjesë e një debati të vazhdueshëm – të intensifikuar jo së paku nga politikat e Hungarisë – mbi atë nëse BE-ja mund të përballojë ende pranimin e anëtarëve të rinj të plotë me të drejtë vetoje, duke pasur parasysh bllokadat e vazhdueshme nga kryeqytete të veçanta.
Prej vitesh, jo vetëm Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Evropa duhet të gjejë rrugë të tjera përveç anëtarësimit të plotë për të mbajtur pranë Ballkanin Perëndimor (si dhe Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë). Rama dhe Vuçiç shkruajnë në FAZ:
“Ne e bashkëshkruam këtë artikull sepse e pranojmë se Evropa sot përballet me dy qëllime po aq legjitime. Vendet kandidate kërkojnë një rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë. Shtetet anëtare kërkojnë të ruajnë efektivitetin dhe unitetin e Unionit. Ky tension nuk duhet të jetë një dilemë me fitues dhe humbës.”
“‘Mundësia strategjike’, argumentojnë ata, qëndron te ‘integrimi i përshpejtuar i vendeve kandidate të përgatitura në tregun e përbashkët dhe në Zonën Shengen’, duke shtuar se janë plotësisht të vetëdijshëm që kjo rrugë kërkon reforma të kushtueshme dhe politikisht të vështira – por se qëllimi ia vlen.”
“Idea e tyre nuk është vetëm në interes të vendeve kandidate, por gjithashtu e dobishme për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, argumenton dyshja: ‘Zgjerimi nuk ka qenë kurrë një akt bamirësie. Ka qenë një investim me përfitim të ndërsjellë.’”
“Bashkimi fitoi tregje të reja, talent, thellësi strategjike dhe stabilitet politik; anëtarët e rinj fituan mirëqenie, siguri dhe një zë në formësimin e së ardhmes së Evropës. Dhe mbi të gjitha, paqja në kontinentin tonë vazhdoi të forcohej në një shkallë të paprecedentë në historinë e Evropës.”
“Kundërshtarët e Evropës, shkruajnë ata, ‘lulëzojnë mbi narrativat e rënies dhe përçarjes.’ Ajo që nevojitet, argumentojnë në mbështetje të propozimit të tyre, është të vihet përballë kësaj një histori suksesi evropiane – ‘jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për Evropën në tërësi.’”
Shënim personal: Natyrisht, aktualisht as Serbia dhe as Shqipëria (as ndonjë vend tjetër kandidat, përfshirë Malin e Zi) nuk është gati të pranohet në tregun e përbashkët dhe në Shengen. Megjithatë, opinioni i Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç mund të nxisë një debat të rëndësishëm dhe të vonuar prej kohësh.
Herën e fundit që një anëtar i ri u pranua në BE (Kroacia) ishte pothuajse 13 vjet më parë, dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se disa shtete anëtare të BE-së, në parim, nuk duan asnjë fuqi të re vetoje brenda BE-së, edhe nëse vendet kandidate do t’i përmbushnin të gjitha kriteret e anëtarësimit.
Idea për t’u ofruar vendeve që i përmbushin kriteret politike dhe ekonomike (parakusht i rëndësishëm!) qasje në Shengen dhe në tregun e përbashkët ka përparësinë e shmangies së kurthit të vetos.
Pra, nëse merret seriozisht nga të gjitha palët (një ‘nëse’ i madh), kjo mund të nisë një përparim dhe t’i japë fund stagnimit të zgjerimit që tashmë ka hyrë në dekadën e tij të dytë.
Idea nuk ka origjinën te Vuçiç dhe Rama, por ata janë politikanët e parë të fuqishëm që e përqafojnë publikisht dhe qartë si të tyren. Edhe nëse Shqipëria dhe Serbia nuk janë vendet më të përshtatshme për ta zbatuar këtë qasje tani, një debat për të mund të jetë gjithsesi i dobishëm.
Parakushti, natyrisht, do të ishte që oferta të merret seriozisht nga BE-ja dhe anëtarët e saj – më seriozisht sesa farsëa që aktualisht njihet si ‘politika e zgjerimit të BE-së