Pas një operacioni të përbashkët, policia daneze dhe gjermane kanë arrestuar disa persona për shkak të dyshimit për planifikim të sulmeve terroriste dhe përpjekje për të prodhuar mjete shpërthyese.
Shtatë personat e arrestuar dyshohet se kanë grumbulluar përbërës dhe pjesë të nevojshme për prodhimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve plasëse, shkruan Reuters.
“Ne besojmë se ka individë me qëllime dhe kapacitete për kryerjen e sulmeve terroriste në Danimarkë”, tha policia daneze përmes një deklarate të publikuar mbrëmjen e së enjtes.
Gjashtë persona u arrestuan në Danimarkë, ndërsa një tjetër në Gjermani, bënë të ditur autoritetet daneze të sigurisë.
Policia daneze ka paralajmëruar konferencë për gazetarë të premten, ku priten të jepen më shumë hollësi për rastin.
Ndryshe, Gjermania viteve të fundit është përballur me disa sulme terroriste. Në shkurt të vitit të kaluar, njëmbëdhjetë persona mbetën të vrarë nga një sulm në Hanau.