Platforma që e bën Thaçin udhëheqës të dialogut, përçan partitë politike

Prishtinë | 03 Qer 2018 | 09:26 | Nga

Nesër pritet që në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për platformën e dialogut me Serbinë, të cilën në legjislativ e ka proceduar qeveria.
Sipas kësaj platforme udhëheqës i fazës finale të bisedimeve do të jetë presidenti Thaçi.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme”, thuhet në platformën që do të diskutohet nesër në Kuvend, shkruan lajmi.net.

Por deri më tani partitë politike nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për miratimin e kësaj platform. E problemi kryesor po del të jetë presidenti i vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj nëse do t’i jep mbështetje Thaçit. Madje ka pasur raportime se në këtë parti ka pasur edhe dy grupe sa i përket kësaj çështje.

Por shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën e përjavshme të premten, theksoi se më shumë se individi kush e udhëheq dialogun, ka rëndësi formati dhe temat e diskutimit.

“Tema se kush duhet t’i udhëhe bisedimet nuk është tema më e rëndësishme, duhet të dakordohemi për formatin, temat”, deklaroi Hoti.

Por kundër Thaçit deri më tani kanë dalur “gjenerata e re” e LDK-së që edhe publikisht kanë thënë se janë kundër kësaj platforme.

Në të njëjtën linjë është edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ky i fundit dje theksoi se duke parë mënyrën se si ka ecur dialogu, ai për momentin duhet të ndërprehet.

Dy partitë opozitar platformën e qeverisë për dialogun e kanë cilësuar si të cekët dhe pa përmbajtje.

Edhe brenda koalicionit qeverisës ka qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj teme.

PDK-ja në njërën anë që e përkrah udhëheqjen e Thaçit në dialog, kurse në anën tjetër Nisma e Fatmir Limajt që është kategorikisht kundër.

Limaj dje theksoi se temat nacionale të vendit nuk duhet të lidhen me individët.

Ndryshe, zyrtarë nga presidenca vazhdimisht kanë deklaruar se udhëheqja e dialogut nga Thaçi është e drejtë që ia jep edhe Kushtetuta.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme