Plazh edhe në tetor, bjellorusët dhe ukrainasit nuk i ndahen Vlorës

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse jemi në tetor bregdeti i Vlorës vazhdon të frekuentohet nga turistët bjellorusë dhe ata ukrainas.

Turistet shprehen të mahnitur me bukuritë e natyrës shqiptare dhe thonë se do të kthehen sërish vitin tjetër.

“Jam nga Ukraina. Nuk kemi aspak ftohtë, madje këtu është shumë ngrohtë krahasuar me vendin nga vijmë. E shijojmë detin në vjeshtë. Është shumë mirë, është qetësi, ndërsa Vlora është një mrekulli. Kemi dhjetë ditë këtu. Do të vij prap në vjeshtë”, shprehet për Vizion Plus një pushuese nga Ukraina.

“Jemi nga Ukraina, vijmë për herë të parë në Shqipëri, edhe në Vlorë. Kuzhina e shkëlqyer, një vend me një infrastrukturë të pëlqyeshme  dhe njerëz të mrekullueshëm .Nuk e di nëse herën tjetër do të vij në verë, apo në vjeshte, por e di që do vij përsëri në Vlorë”, shprehet një tjetër pushuese nga Ukraina.

“Jemi nga Bjellorusia. Moti është shumë i mirë këtu në Vlorë edhe pse ka patur shira ditë më parë. Nuk është ftohtë. Është shumë bukur ….Do vij përsëri dhe do te zgjedh vjeshtën, sepse më pëlqen ajri i freskët”, shprehet një pushues nga Bjellorusia.

“Vijmë nga Bjellorusia. Nuk ka qenë mot i mirë këto ditë, por nuk kemi ftohtë, pasi ne vendin tonë është më ftohtë. Njerëzit  janë me shumë  kulture. Më parë kemi qenë në Mal të Zi,  ndërsa  në Shqipëri jemi për  herë të parë .Vlora duket një qytet  me perspektivë”, shprehet një tjetër pushues nga Bjellorusia.

Edhe pse në situatë pandemie, turistë qe kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin e Vlorës gjatë periudhës së vjeshtës kanë qenë të shumtë.

Të ngjashme