Plazma nga njerëzit e shëruar prej COVID-19 ka treguar shkallë të përmirësuar të shërimit dhe pacientët ishin më pak të varur nga terapia me oksigjen sesa pacientët e tjerë që nuk e kishin marrë këtë terapi, sipas rezultateve të një studimi të vogël në SHBA.
Studimi i publikuar të premten, dha detajet e rezultateve preliminare të 39 pacientëve të hospitalizuar në spitalin Monunt Sinai ne New York, shkruan Al Jazeera.
Afro 70 për qind e 39 pacientëve ishin në terapinë me oksigjen dhe 10 për qind ishin në ventilim mekanik. Pas dy javëve, sëmundja u përkeqësua për 18 pacientë që kishin marrë plazma, krahasuar me 24 për qind të atyre që nuk ishin trajtuar me këtë terapi, transmeton KOHA.
Ndërsa deri më 1 maj, afro 13 për qind e të trajtuarve me plazmë kishin vdekur, krahasuar me më shumë se 24 për qind të atyre që nuk ishin trajtuar me plazmë.
“Jemi të gëzuar që vlerësimi ynë fillestar jep dëshmi se trajtimi me plazma është një intervenim efektiv, por duhen bërë studime shtesë për të konfirmuar këto gjetje dhe për të ardhur në përfundime definitive, në popullatë me mosha të ndryshme”, tha Dr. Nicole Bouvier, specialiste e sëmundjeve ngjitëse në spitalin Mt Sinai, dhe autori kryesor i këtij studimi.