Loja e futbollit për t’i kapur ndeshjet e humbura gjatë pandemisë së koronavirusit sheh duelet gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, që zhvillohen të enjten (sot) me skuadrat që kërkojnë një vend në “Euro 2020” që mbahet vitin tjetër, me disa stadiume ku do të lejohet prania e një pjese të tifozëve, shkruan AP.
Plejofi për “Euro 2020” nis të enjten (sot), më shumë se gjashtë muaj më vonë sesa ishte planifikuar, me 16 ekipe që garojnë për katër vendet e fundit për Kampionatin Evropian që do të përbëhet prej 24 skuadrave. “Euro 2020” është planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2021, me një vit vonesë, gjithashtu shkaku i pandemisë. Edhe nëse të gjitha ekipet e plejofit – të cilat gjithashtu duhet të luajnë dy ndeshje të edicionit të ri të Ligës së Kombeve duke filluar këtë fundjavë – janë nën nivelin elitar, historitë e mundshme janë mbresëlënëse. Kosova, shtesa më e re e futbollit botëror në vitin 2016, synon paraqitjen e saj të parë në një turne të madh. E paraqitjen për herë të parë në “Euro 2020” e synon edhe sulmuesi i Borussia Dortmundit, Erling Haaland. Ylli 20-vjeçar i Norvegjisë nuk kishte lindur ende kur kombi i tij u shfaq për herë të fundit në skenën ndërkombëtare, në Kampionatin Evropian të vitit 2000.
“Do të ishte diçka e jashtëzakonshme paraqitja në Evropian. Ne e kemi parasysh rëndësinë e ndeshjeve të plejofit dhe do të bëjmë të pamundurën për të siguruar biletën”, ka insistuar Haaland.
Çmimi i kualifikimit në Evropian për katër përfaqësueset e plejofit të edicionit të parë të Ligës së Kombeve – Hungaria, Irlanda, Rumania dhe Skocia – është që ndeshjet t’i luajnë në shtëpi në “Euro 2020” në qershorin e ardhshëm. Këto vende janë midis 12 shteteve pritëse të këtij turneu që për herë të parë do ta ketë një format të tillë garash. Kjo, gjithashtu, do të kërkojë që pandemia të jetë nën kontroll në mënyrë që UEFA t’i përmbahet planit të saj për vendet pritëse në të gjithë kontinentin.
Në të vërtetë, plejofi do të përfundojë muajin tjetër. Fituesit e tetë gjysmëfinaleve të plejofit do të kualifikohen në katër ndeshjet finale, që do të mbahen në muajin nëntor. Dueli më i fortë të enjten, do të jetë në plejofin e ligës C të Ligës së Kombeve, ku Norvegjia do ta pretë Serbinë, përfaqësuese këto që përbëhen prej lojtarëve që janë pjesë e disa skuadrave të Ligës së Kampionëve për këtë edicion.
Haalandi i Dortmundit e Martin Odegaard i Real Madridit do ta udhëheqin Norvegjinë përballë Dushan Tadiqit të Ajaxit dhe Sergej Milinkoviq-Saviqit, që janë ndër kryesorët te Serbia. Vetëm 200 bileta janë shpërndarë nga Federata e Futbollit të Norvegjisë për ndeshjen që do të luhet në “Ullevaal Stadium” në Oslo, me fituesin që siguron finalen në shtëpi kundër Skocisë apo Izraelit më 12 nëntor. Skocia në këtë duel do të jetë pa lojtarët si Stuart Armstrong, Kieran Tierney e Ryan Christie që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. UEFA ka lejuar deri në 30 për qind të kapacitetit në stadiume për ndeshjet që luhen nën ombrellën e saj, megjithëse vetëm brenda kufijve të miratuar nga autoritetet lokale të shëndetësisë dhe autoriteteve publike. Mirëpo, asnjë tifoz nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës që luhet në kuadër të ligës D të Ligës së Kombeve. Fituesi i këtij dueli muajin e ardhshëm do të udhëtojë për t’u përballur në finale me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. Niveli elitar i plejofit përfshin vetëm një ekip, Islandën, që aktualisht luajti në nivelin më të lartë të Ligës së Kombeve që u përurua dy vjet më parë. Rumania, Bullgaria dhe Hungaria u ngritën në një proces të komplikuar për ekipet që nuk u kualifikuan direkt për “Euro 2020” për t’i plotësuar duelet e plejofit.
Fituesi i Bullgarisë kundër Hungarisë, ku në ndeshjen që do të luhet në Sofje në praninë e katër mijë shikuesve, do ta presë në shtëpi fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Islandës dhe Rumanisë. Në grupin e nivelit të dytë, Bosnjë-Hercegovina e pret Irlandën e Veriut për të drejtën për të pritur në finale Sllovakinë ose Irlandën muajin tjetër. Disa ekipe kanë parë të paktën nga një anëtar të skuadrës ta braktisë grumbullimin pasi u testua pozitiv për COVID-19. UEFA kërkon teste të mëtejshme të detyrueshme para ndeshjeve. Nëse një ndeshje plejofi në tetor ose nëntor nuk mund të vazhdojë, rregullat e konkurrencës urgjente të UEFA-s lejojnë që ajo të riplanifikohet deri në qershor, vetëm disa ditë para se “Euro 2020” të fillojë në Romë më 11 qershor. Ekipet e plejofit kanë akoma dy ndeshje të Ligës së Kombeve për t’i luajtur deri të mërkurën e ardhshme në programin e ri të UEFA-s. Programi i ri nuk ka ndeshje të premten pasi ekipet luajnë të shtunën, të martën ose të dielën apo të mërkurën duelet e këtij cikli. Ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve, përfshijnë duelet Francë – Portugali, një revansh i finales “Euro 2016” Anglinë kundër Belgjikës, të dielën. Pastaj, të martën e ardhshme, Franca udhëton në Kroaci në revansh tjetër i finales së Botërorit “Rusia 2018” dhe duelin midis Italisë e Hungarisë.
Liga A
Bullgaria – Hungaria (20:45)
Islanda – Rumania (20:45)
Liga B
Bosnjë H. – Irlanda V. (20:45)
Sllovakia – Irlanda (20:45)
Liga C
Norvegjia – Serbia (20:45)
Skocia – Izraeli (20:45)
Liga D
Gjeorgjia – Bjellorusia (18:00)
Maqedonia V. – Kosova (20:45)