Klubi i basketbollit Sigal Prishtina ka pësuar edhe një humbje në rrafshin ndërkombëtar.
Kjo ka bërë që të reagojë klubi prishtinas duke insistuar në aktivizimin e Drilon Hajrizit.
Ky i fundit ishte i padëshiruar për tifozët e ‘Plisat’ dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë paraqitje për Sigal Prishtinën.
Kampioni i Kosovës përmes një mesazhi të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook ka pohuar se është arritur marrëveshja me tifozët e klubit të kryeqytetit dhe basketbollisti mitrovicas do të veshë fanellën e ekipit.
Mesazhi i plotë i Sigal Prishtinës
Pas disa veprimeve të pamatura mirë të disa individëve brenda bordit dhe kryesisë tonë, Sigal Prishtina e ka filluar këtë sezonë me disa probleme e mbi të gjitha me rezultate jo të mira.
Me qëllim që të tejkalohet kjo situatë, ne kemi kërkuar zgjidhje dhe konsiderojmë se e njejta është arritur me mirëkuptimin e qytetarëve dhe tifozëve tanë.
Ne falënderojmë Plisat që edhe pas gabimeve tona gjeten forcën dhe kurajën të na falin ato dhe për hirë të mbarëvajtjes së këtij kampionati dhe zgjidhjes së lëmshit të krijuar, ofruan zgjidhje duke e lejuar Drilon Hajrizin që të luajë për klubin tonë.
Se Prishtina është një familje e madhe dhe se Plisat gjithmonë janë treguar të gatshëm të sakrifikohen për të, e dëshmon edhe kjo gatishmëri e tyre që të ndihmojnë Klubin në këto momente jo të mira me të cilat po përballemi. Jemi të vetëdijshëm që këtë vendim të vështirë, Plisat e kanë marrë duke u udhëhequr nga dashuria për Klubin, prandaj përgjegjësinë për gabimin dhe situatën e krijuar e ka marrë klubi dhe individët brenda tij.
Faleminderit Plisa, faleminderit qytetarë të Prishtinës.