Deri vonë, 500 euro në muaj i kanë mjaftuar familjes katëranëtarëshe të Leutrim Kabashit për blerjen e produkteve ushqimore. Rroga e tij më nuk mjafton.
“Po blej më pak gjëra, po i blej produktet me çmime të lira, normal me cilësi ndoshta më të dobët”, thotë Leutrimi, i cili punon si shitës në një kompani tregtare.
Ngritjen e çmimeve ai ka filluar ta vërejë dy muaj më parë.
“Me një fjalë, shporta mujore apo javore e familjes time më nuk është siç ka qenë”, thotë ai.
Sedat Gushlla, i cili punon si menaxher në një restorant, beson se çmimet kanë shënuar rritje për 30 për qind.
Ai jeton në Prishtinë me familjen e tij treanëtarëshe.
“Përbërësit kryesore të kuzhinës – mielli, sheqeri, vaji –kanë ngritje. Njëri prej llojit të mishit, bifteku, kilogrami i të cilit ka qenë 13 euro vitin e kaluar u rrit në 15, e tani është bërë 20 deri në 23 euro”, tregon ai.
Shqetësimi i qytetarëve për rritje të çmimeve ka nisur qysh në fillim të këtij viti. Edhe të dhënat tregojnë se kostoja minimale e shpenzimeve jetësore është në rritje.
Shtrenjtimi i produkteve bazike
Një kilogram miell gruri kushton 0.75 euro. Në vitin e kaluar mesatarja e këtij produkti ka kushtuar 0.55 euro. Tridhjetë copë vezë kushtojnë 3.51 ndërsa në vitin e kaluar mesatarja ka qenë 2.57 euro. Çmimi i vajit ushqimor nga 1.48 sa ka qenë vitin e kaluar, është rritur në 2.62 euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, rritje të çmimi ka pësuar edhe buka, mishi, produktet e qumështit, perimet, lëngjet dhe produkte të tjera.
Të dhënat zyrtare të anketës së buxhetit të ekonomive familjare në Kosovë publikohet çdo pesë vjet. E fundit ishte në vitin 2018, me të dhënat për vitin 2017.
Sipas këtyre të dhënave, konsumi mujor për një qytetar në Kosovë ishte 125 euro, ndërkaq konsumi i përgjithshëm për një ekonomie familjare (deri në pesë anëtar) ishte 650 euro.
Të dhënat zyrtare të anketës së buxhetit të ekonomive familjare në Kosovë publikohet çdo pesë vjet. E fundit ishte në vitin 2018, me të dhënat për vitin 2017.
Sipas këtyre të dhënave, konsumi mujor për një qytetar në Kosovë ishte 125 euro, ndërkaq konsumi i përgjithshëm për një ekonomie familjare (deri në pesë anëtar) ishte 650 euro.
Shatri: Shporta minimale e konsumatorit, 370 euro
Niveli i inflacioni nga ekspertë të ekonomisë thuhet të jetë më i lartë dhe atë mbi 25 për qind. Sipas vlerësimeve të bëra nga ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, nëse në vitin 2017 shporta mujore për një qytetar ka qenë 125 euro, me ngritjen e çmimeve ndër vite, kjo shumë është trefishuar.
“Praktikisht, nga jeta e përditshme po shihet se ai buxhet i vitit 2017 nuk mjafton as për pak ditë. Nga vlerësimi im, 125 euro sa ka qenë kostoja minimale e shportës së konsumatorit, tashmë është bërë 370 euro”, thotë Shatri.
Sipas tij, këtë situatë mund ta zbusë zbritja e disa tatimeve fiskale, siç janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për disa produkte, si dhe heqja e akcizës po ashtu për disa produkte. Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në bazë të një analize që kishin bërë muaj më parë, ka vlerësuar se shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë, kap vlerën prej 470 eurosh.
“[Këtu janë llogaritur] pagesa e energjisë, shërbimet komunale, transporti, ushqimi e gjërat tjera bazike”, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate.
Ndërkaq, Selatin Kaçaniku, aktivist i të drejtave të konsumatorit, thotë se qytetarët janë në situatën më të vështirë që kanë mundur të jenë ndonjëherë.
Sipas tij, situata me çmime që fillimisht kishte prekur shtresat e varfër, tani po vërehet edhe te shtresa e mesme, e cila, siç thotë Kaçaniku, po varfërohet.
“Derisa ne nuk kemi treg vendor, gjithmonë do të kemi probleme të tilla. Institucionet duhet të veprojnë karshi lehtësimit të jetës së qytetarëve”, thotë ai.
Kosova importon produktet edhe më elementare siç janë mielli dhe produktet e qumështit.
Ngritja e lartë e çmimeve të konsumit ka kthyer në diskutim te skena politike çështjen e tërheqjes së kursimeve pensionale. Një tërheqje prej 10 për qind e këtyre mjeteve ishte bërë edhe në vitin 2020, pas krizës ekonomike që shkaktoi pandemia e koronavirusit.
Në Kuvendin e Kosovës pritet vihet në rend dite ndryshimi i Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili në rast se kalon, do t’iu mundësonte kontribut-paguesve të tërheqin një përqindje të kursimeve pensionale.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kundërshtuar tërheqjen e këtyre fondeve, me arsyetimin se një vendim i tillë do të përbënte goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit pensional dhe do të reduktonte vlerën reale të pensioneve të ardhshme. (rel)