“Po i vrisni gratë” – Kolektivi Feminist proteston para policisë dhe prokurorisë për plagosjen e gruas në Fushë-Kosovë

Prishtinë | 07 Gus 2024 | 11:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur aksion simbolik para stacionit policor në Prishtinë dhe pastaj para Prokurorisë së Shtetit, në muret e të cilave kanë shkruar “Po i vrisni gratë”, raporton Ekonomia Online.

Aksioni vjen pas plagosjes së gruas në Fushë Kosovë dhe lirimit të dorasit, burrit të saj, pas arrestimit të tij dy ditë më parë për dhunë në familje.

Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën e dhunës ndaj grave dhe se ajo çfarë kanë parë nga institucionet ka qenë “një loje e vazhdueshme për ta hedhë fajin te njëra-tjetra”.

“Jemi mbledhë sot këtu për ta shprehë revoltën tonë me neglizhencën e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës së gjinizuar nga institucionet e shoqëria. Veç brenda një javë, një burrë e vrau gruan në Graçanicë  dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan ne Fushe Kosovë. Ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë ne familje, për t’u liruar pas 48 orëve ne procedure te rregullt. Përgjatë gjithë kësaj kohe jemi njoftuar për raste te shumta përdhunimesh e dhune ne familje. E ajo se çka pamë nga institucionet ishte një loje e vazhdueshme për ta hedhë fajin te njëra-tjetra. E gjithë kjo teksa qeveria vazhdon të amnistoj të akuzuar për dhunë në familje teksa zotohet ta luftojë dhunën.”

Përfaqësuesja e Kolektivit Për Mendim dhe Veprim Feminist ka konsideruar institucionet fajtore dhe mbështetëse të vrasjes së grave. Ajo ka kërkuar nga institucionet e shoqëria që t’iu dalë krah grave në luftën për çlirim kudo që ajo zhvillohet.

“Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne rikujtojmë që për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo ditë është luftë. Luftë për ta mbrojtur vetën nga dhuna kundër gjinisë dhe abuzimi seksual. Luftë për t’iu ikur plumbave e sëpatave. E në këtë luftë, shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur patriarkalizmin. Ne e kthejmë gishtin kah policia, prokuroria e giykata të cilat në vazhdimësi po tregon që ky zinxhir është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave. Në gjithë këtë situatë ku dhuna ishte përditshmëri e shumë prej nesh dhe frika e të gjitha neve, ne bëjmë thirrje për veprim. Kërkojmë nga institucionet e shoqëria që t’iu dalë krah grave në luftën për çlirim kudo që ajo zhvillohet. Kërkojmë mobilizim, organizim solidaritet me kauzën feministe për çlirim nga çdo lloj dhune kudo dhe kurdo. Për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë”, ka thënë përfaqësuesja e kësaj organizate, e cila nuk ka dashur të prezantohet për media.

Të ngjashme