Adresimi i kritikave të mëdha në adresë të Amir Rrahmanit po vijon edhe një ditë pas derbit ndaj Interit. Mbrojtësi kosovar u rikthye nga lëndimi mbrëmë, por nuk ishte paraqitja më e përkryer e mundshme.
Mjaftoi nuhatja prej golashënuesit vrastar të Edin Dzekos për ta vulosur çështjen e fituesit në derbin e mbrëmshëm që u zhvillua në “San Siro” mes Interit dhe Napolit.
Lojtari që gaboi në rastin e golit të shënuar nga Dzeko ishte pikërisht Rrahmani. Mbrojtësi 28-vjeç kosovar u rikthye titullar pas tre muajve që mungonte nga lëndimi në kofshë. Megjithatë, gabimi i tij në markimin e Dzekos përfundoi për të qenë fatal për skuadrën e tij, që pësoi disfatën e parë në kampionat.
“Gazzetta Dello Sport” në numrin e saj të sotëm gozhdoi me kritika Rrahmanin. Përfaqësuesi “dardan” u vlerësua si më i dobëti në fushë nga lojtarët e Napolit.
“Rrahmani, po ku ishe?” – shkruhej në titullin e gazetës më të madhe italiane sportive. Pyetje që shtrohet si vështrim kritik ndaj pakujdesisë që tregoi duke mos i qëndruar në mbulim solid sulmuesit boshnjak.
Edhe nota për të ishte më e ulëta nga të gjithë: “Rrahmani 5 – Mungoi për thuajse tre muaj dhe është lehtë e vërejtshme. Prej fillimit të ndeshjes vuajti duelet në hapësirat e ngushta mes Dzekos dhe Lukakut. Në aksionin e golit të shënuar humbi nga mbulimi në formë të pabesueshme sulmuesin boshnjak. Ndoshta nuk ishte i gatshëm për një sfidë të tillë.”
Napoli prapëseprapë vijon të jetë lider në tabelë falë 41 pikëve të grumbulluara. Për Amir Rrahmanin kjo ishte njëra prej paraqitjeve ku më së shumti është kritikuar, sepse edhe humbja ishte me peshë të madhe.
Vlen të cekët që për kapitenin dardan ky sezon është tejet i mirë, meqë ka arritur ta konsolidojë akoma më shumë pozitën e titullarit, duke krijuar një binom në qendërmbrojtje me Kim që ka qenë një mur i vërtetë për ndeshje të tëra.
Po ashtu, ai është edhe shumë afër që ta rinovojë kontratën me Napolin. Kontrata e tanishme skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe drejtuesit e klubit janë duke bërë të gjitha përpjekjet për ta zyrtarizuar rinovimin e kontratës së tij për çështje ditësh .