Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që të vazhdojnë të dialogojnë në Bruksel, në nivelet më të larta. Kështu ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të takimit Kosovë-Serbi më ndërmjetësim të Bashkimit Europian.
Të dy palët kanë vlerësuar se takimi nuk ishte i lehtë.
“Mendojmë se ky dialog duhet të vazhdojë me takime të nivelit të lartë”, ka thënë Thaçi pas takimit.
Thaçi po ashtu ka thënë se “pala kosovare ka kërkuar nga BE-ja të bëjë presion mbi Serbinë lidhur me provokimet e fundit dhe se Kosova do të përgjigjet në mënyrë institucionale ndaj tyre”.
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq nuk ka pranuar pyetjet e gazetarëve.
Po mbahet takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi
Janë publikuar pamje nga takimi i përbashkët ndërmjet krerëve të shtetit të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka zhvilluar takime të ndara me të dyja delegacionet. Ndërsa rreth orës 21 ka nisur “darka e përbashkët e punës”.
Takimi i sotëm është i nivelit më të lartë që kanë mbajtur Prishtina dhe Beogradi ndonjë herë.
Kosova përfaqësohet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, kurse Serbia nga presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.
Para fillimit të takimit dy delegacionet dhe Mogherini kanë bërë një fotografi të përbashkët.
Gjatë takimit, do të tentohet të ulen tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, pas provokimit që Serbia bëri me trenin dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
(Video: European Union)