Sot, më 27 qershor, po mbahet Testi i Arritshmërisë për rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta në të gjithë vendin.
Testimi po zhvillohet në 170 qendra të testimit, me 1,550 administrues të angazhuar, dhe për herë të parë përfshin të gjitha lëndët në një ditë të vetme, bëri të ditur për Ekonomia Online Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit.
“Në testin e arritshmërisë në klasat e nënta janë diku rreth 24 mijë nxënës të shpërndarë në 170 qendra të testimit, me 1 mijë e 550 administrues të angazhuar. Këtë vit, testimi organizohet vetëm në një ditë, për të gjitha lëndët. Testi i arritshmërisë është orientues, rezultatet shërbejnë për regjistrim në klasën e dhjetë dhe nuk ka prag të kalueshmërisë,” tha Elezi në një përgjigje me shkrim.
Ai shtoi se testimi po bëhet me masa të shtuara sigurie dhe mbikëqyrjeje, pas përvojës me Testin e Maturës.
“Nga viti i kaluar kemi filluar shpërndarjen e nxënësve nëpërmjet platformës e-Kosova, ku nxënës të të njëjtës klasë më nuk janë në të njëjtën sallë të testimit. Këtë vit, në testimin e maturës, ka pasur disa raste ku nxënësit e kanë përdorur telefonin, por diku mbi 80 nxënës janë përjashtuar nga testimi, si pasojë e përdorimit të telefonit. Edhe nxënësit e klasave të nënta do të kenë mbikëqyrje nga komisioni dhe shpresojmë që nuk do të ketë largime nga testimi për shkak të përdorimit të telefonave”, tha ai.
Ndërkohë, në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku janë regjistruar 141 nxënës për t’u testuar, drejtoresha Kreshnike Kabashi-Ademi, tha për EO se përgatitjet janë bërë me kohë dhe në koordinim me mësimdhënësit dhe prindërit.
“Përgatitjet janë bërë paraprakisht, kemi marrë njoftime, kemi marrë listat e nxënësve, emrat e administruesve, janë bërë përgatitje e klasave, janë bërë përgatitjet e listave të nxënësve, janë njoftuar nxënësit nga secila shkollë përkatëse nga kujdestarët e tyre”, tha Kabashi-Ademi.
Ajo tha se nxënësit janë të informuar për ndalimin e telefonave dhe bëri thirrje për ndershmëri gjatë testimit.
“Nxënësit tashmë veç janë të njoftuar që telefonat janë të ndaluar në klasat ku mbahet testi, po ashtu edhe prindërit janë të njoftuar. Ju bëj thirrje nxënësve të jenë sa më transparent të punojnë, ne kemi nxënës shumë të mirë dhe janë të përgatitur. Nuk kanë nevojë as për kopje sepse ky test e vlerëson punën e tyre për 9 vite. Sot në shkollën ‘Meto Bajraktari’ do të testohen 141 nxënës,” tha ajo.

