Nëntë vite më parë, pranë Fakultetit Teknik në Prishtinë në një organizim ceremonial nisën punimet për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”. Për fillimin e punimeve u dhanë mbi 700 mijë euro, por gjithçka stagnoi.
Krejt çka mbeti aty, ishte veçse një gropë e madhe e cila ishte shndërruar në një liqe i mbushur me bretkosa. Tanimë nuk ekziston as ajo gropë. Ajo u mbulua me dhe nga Komuna e Prishtinës.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri i tha Ndërtimi.info se mbyllja e gropës është bërë për t’iu shmangur rrezikut që paraqet për qytetarët.
“Gropa aty është duke u mbuluar, pasi që thellësia që ka paraqet rrëzim dhe mundësi të rrëzimit/lëndimeve si dhe infeksione të mundshme”, tha Tahiri për Ndërtimi.info.
Për mbylljen e gropës nuk po janë në dijeni Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti (MKRS).
“Nuk kam informacion se çfarë është duke bërë komuna aty. Me gjasë është duke rregulluar diçka me ujin, nuk kam informacion zyrtarë”, tha këshilltari i Ministrit të MKRS-së, Samir Hoxha.
Ndërkohë, për këtë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka potencuar se pas parasysh që ky projekt është i MKRS-së kanë pritur gjatë që të nisin punimet por meqë ato nuk kanë filluar atëherë është dashur që gropa të mbyllet.
“Është mbyll për shkak se kemi prit gjatë, meqë është projekt i tyre, pra i MKRS-së ne kemi prit që me vazhdu punimet, por pasi që nuk kanë vazhduar punimet ne është dashur me shmang rrezikun nga ndonjë lëndim apo infeksion sepse është në territor të Komunës së Prishtinës”, shpjegon Tahiri.
Megjithëkëtë, në MRKS thonë të mos kenë hequr dorë për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” dhe se për këtë tani veçse kanë krijuar komisionin që të bëjë hartimin e detyrave projektuese për ndërtimin e këtij objekti.
“Ajo çka mund të them është se Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të bëjë ndërtimin e sallës Operës dhe Baletit ‘Ibrahim Rugova’ pikërisht te Fakultetit Teknik. Ne e kemi krijuar një komision të posaçëm brenda Ministrisë i cili e ka bërë hartimin e detyrave projektuese dhe projekti për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit do të jetë te Fakulteti Teknik. Ky është orientimi jonë politik dhe strategjik për ndërtimin e këtij objekti”, tha ai.
Për ndërtimin e këtij objekti ka ekzistuar edhe projekti, por që sipas Hoxhës ai projekt ishte megaloman dhe nuk përputhej me kërkesat e komunitetit kulturor.
Megjithatë, Hoxha thotë se brenda këtij viti do të shpallin edhe tenderin për projektin ideor.
“Komisioni për këtë çështje ka hartuar detyrat për këtë dhe besoj që brenda këtij viti do ta shpallim tenderin për hartimin e projektit ideor. Më herët është e vërtetë që ka pas një projekt për ndërtimin e sallës së Operës dhe Baletit, por projekti ka qenë megaloman, jo në përputhje të nevojave dhe kërkesave të komuniteti kulturor dhe ne jemi të interesuar që të bëjmë një projekt në përputhje me kërkesat që i kanë komuniteti kulturor në vendin tonë”.
Për këtë projekt që kishte kaluar në duart e tetë ministrave po premtohet edhe nga kjo ministri, që në vitin e ardhshëm do të vihet gurthemeli i ndërtimit të objektit të sallës së Operës dhe Baletit.
Rikujtojmë se vendimi për ndërtimin e Objektit të Teatrit të Operës ishte marrë në viti 2006, në kohen kur MKRS drejtohej nga Astrit Haraqija, ku edhe ishte vendosur për projekti ideor për ndërtimin e objekti dhe vendin e ndërtimit. Ndërkaq, vetëm në 2009 ishte arritur që të organizohet ceremonia vënies së gurthemelit.
Për më shumë tashmë ky objekt që ishte ideuar aty dhe kishte ngjallur shumë debate sa i përket përzgjedhjes arkitekturore të objektit, pas përsëritjes së konkursit, po parashihet të bëhet në qendër të qytetit. Vendi ku po parashihet është ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, që tash ka nën gjirin e saj një pjesë të ATK-së dhe Ministrinë e Infrastrukturës. Se çka do të bëhet me atë objekt ende askush nuk e ka të qartë, por rrënimi apo ndryshimi i pamjes së atij objekti po kundërshtohet nga komuniteti arkitekturor i Kosovës, duke e çuar këtë kundërshtim edhe në nivel peticioni.