Kryeministri britanik Boris Johnson do të flasë me presidentin amerikan Donald Trump gjatë ditës së sotme dhe do të takohet me Mbretëreshën Elizabetë gjatë kësaj jave.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i tij i cili ka thënë se kryeministri britanik akoma nuk është “zyrtarisht duke kryer punë qeveritare”.
“Dje ai i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Kanadasë Justin Trudeau pas lajmit tragjik të humbjes së jetëve në të shtënat me armë në Kanada. Më vonë, gjatë ditës ai do të flasë me presidentin Trump”.
Johnson është duke e marrë veten në rezidencën e tij, pasi kishte qëndruar disa ditë në spital pas infektimit me Covid-19.
Ministri i Punëve të Jashtme Dominic Raab është ushtrues detyre i postit të kryeministrit, derisa Boris Johnson të shërohet krejtësisht.
Më vonë, gjatë kësaj jave kryeministri pritet të ketë një audiencë me Mbretëreshën Elizabetë – që është takimi i parë pas tri javësh.