Trajneri Mauricio Pochettino thotë se nuk është korrekte që kundërshtari i Tottenhamit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Ajaxi, të pushojë këtë vikend e të ketë mundësinë të përgatitet sa më mirë për ndeshjen, derisa ekipi i tij duhet të luajë ndeshje të fortë në kuadër të Premier Leagues kundër West Ham Unitedit.
Ajaxi është dashur të përballej të dielën (28 prill) kundër De Graafschapit në Holandë, dy ditë para ndeshjes së parë gjysmëfinale kundër Tottenhamit në Londër, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Por, një vendim i Federatës së Futbollit të Holandës ka bërë që komplet xhiroja e këtij vikendi në “Eredivisie” të shtyhet për 15 maj në mënyrë që Ajaxi të ketë kohë të mjaftueshme të pushojë lojtarët dhe të përgatitet më mirë.
“Futbolli në Evropë dallon shumë prej atij në Angli. Realiteti është se Ajaxi do të ketë kohë më shumë që të përgatitet dhe kjo nuk është korrekte. Ne luajtëm të martën, kurse të shtunën do të luajmë derbin me West Hamin dhe mund të kemi probleme me lëndimet”, është shprehur Pochettino.
“Besoj se edhe Ajaxi do të ankohej po të kishte ndodhur e kundërta. Megjithatë, nuk kemi çfarë të bëjmë dhe duhet të jemi të gatshëm për dy ndeshjet e radhës, pasi të martën luajmë menjëherë me Ajaxin”.
Ndeshja e parë gjysmëfinale luhet të martën dhe Tottenhami do të mundohet të fitojë, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të udhëtojë me avantazh. Por tash për tash Pochettino nuk po mendon shumë për ndeshjen me Ajaxin, pasi është i fokusuar te West Hami. Ai thotë se ekipit të tij i nevojitet fitorja, në mënyrë që të mbajë pozitën aktuale në tabelë deri në fund të edicionit.
Tottenhami është i treti me 70 pikë, duke lënë pas vetes Chelsean (67), Arsenalin (66) dhe Manchester Unitedin (64).