Mauricio Pochettino është i motivuar për të qëndruar te Tottenhami, në mënyrë që ta transformojë ekipin nga Londra në një prej më të mirëve në botë. Kështu ka deklaruar Pochettino të premten, pak ditë pas deklaratës se po mendon edhe largimin gjatë verës.
Ai kishte thënë se finalja e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit mund të jetë e fundit për të si trajner i Tottenhamit, ekip që nuk e bëri asnjë transferim për edicionin 2018/19, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.
“Ka edhe shumë punë për t’u bërë dhe natyrisht që jam i motivuar për të qëndruar, pasi dua ta shndërroj Tottenhamin në ekip që e meriton. Për mua Tottenhami është ekipi më i mirë në botë dhe dua të punoj në këtë aspekt”, është shprehur Pochettino. “Unë besoj se mund ta vazhdoj këtë proces, pasi Tottenhami ka kapacitet për të qenë ndër ekipet më të mira në botë. Pra, dua të qëndroj dhe ta përmirësoj Tottenhamin”.
Pochettino aktualisht është i fokusuar për ta përgatitur ekipin për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Kjo ndeshje luhet më 1 qershor në stadiumin “Wanda Metropolitano” të Madridit.