Debutimit i Lionel Messit me fanellën e PSG-së u shoqërua me brohoritjet entuziaste nga 6,000 tifozë të cilët kishin udhëtuar për të ndjekur nga afër parisienët në ndeshjen ndaj Reims.
Jo vetëm nga ata, por edhe nga tifozët vendas pati ovacione. Pavarësisht se nuk arriti dot të gjente rrugën e rrjetës, tekniku Mauricio Pochettino u shpreh se prania Messit pati ndikim në lojën e skuadrës.
“Unë mendoj se sapo ai hyri në fushë, me prekjet e para ai i dha besim ekipit. Unë jam i lumtur sepse të debutosh me fitore është diçka tepër pozitive për një lojtarë. Pashë që Messi ishte i lumtur dhe unë jam i lumtur që ai tashmë është pjesë e grupit dhe që ndihmoi ekipin për të arritur rezultate”, deklaroi argjentinasi.
Pochettino deklaroi se ardhja e Messit ka ndikim edhe tek të tjerët, ndërkohë që numri një i stolit shtoi se Parisi po kalon një moment shumë të mirë në këtë fillim sezoni.
“Dua të them, është Messi dhe motivimi vjen nga fakti që ne duam të konkurrojmë, por edhe që kemi në skuadër një futbollist si ai. Është gjithashtu e qartë se karriera, energjia dhe personaliteti i Leos janë një shtysë e madhe edhe për të tjerët. Jemi në një moment pozitiv që vjen si rrjedhojë e shumë faktorëve si ardhja e Messit dhe fryma e grupit. Për këtë jam shumë i kënaqur”, tha Pochettino.