Komunarët e Podujevës nuk kanë arritur të realizojnë qind për qind të hyrat e planifikuara gjatë vitit 2018. Sipas raportit financiar për vitin e kaluar shihet se kjo komunë nga 1 milion e 557 mijë e 614 euro sa i kishte planifikuar, i ka arkëtuar 1 milion e 262 mijë e 405 euro, ose kthyer në përqindje i bie që ka realizuar 81 për qind të të hyrave të planifikuara.
Megjithatë, në disa raste ka bërë edhe tejkalim të të hyrave. Sipas raportit në fjalë të hyrat e tatimit në pronë janë më të larta sesa planifikimi. Nga 400 mijë euro sa ishin planifikuar gjatë vitit të kaluar, janë realizuar 428 mijë e 323 euro ose 107 për qind. Tejkalim të të hyrave ka edhe në dy kategori të tjera: nga 140 mijë euro sa i ka paraparë të hyra për taksat e pajisjeve motorike (gjobat në trafik, regjistrimi i automjeteve, agjencia e pyjeve) për një vit Komuna e Podujevës i ka realizuar 262 mijë e 93 euro (187 për qind) dhe nga bashkëpagesat për shëndetësi i ka realizuar 74 mijë e 264 euro nga 72 mijë eurot e planifikuara (103 për qind).
Të gjitha të hyrat e tjera i ka më pak sesa planifikimet. Për taksa komunale i ka planifikuar 798 mijë e 614 euro, por i ka realizuar vetëm 568 mijë e 768 euro (71 për qind). Prej tyre, nga 180 mijë euro të planifikuar për licenca dhe leje, i ka realizuar 49 mijë e 373 euro (27 për qind), 143 mijë e 614 euro i ka planifikuar për certifikata dhe dokumente zyrtare, ndërsa i ka realizuar vetëm 80 mijë e 343 euro (56 për qind), për leje për ndërtesa i ka realizuar 67 mijë e 346 euro (31 për qind), ndërsa i ka planifikuar 220 mijë euro, për taksa të tjera komunale (aktivitete gjeodezike dhe shërbime të inspektimit) i ka planifikuar 115 mijë, ndërsa i ka realizuar 109 mijë e 613 (95 për qind).