Po më pikon hiri, e dashur…
Po rrëshket si lëngu sythave të hardhisë
Ditë e vjeshtake, ku vajzat ende besonin
Thëniet e plakave e mblidhnin
Pikë-pikë
Lotin e zotit për të bërë kaçurrela
Flokët që dikur ngatërroheshin
Gishtave të mi…e tani,
Po i vij vërdallë zjarrit, sepse
Mungesës tënde, i vura flakën
Me një shkrepëse që gjeta te kutia e Pandorës,
Atë, që më le ngjitur pinelit të zi,
Mes bojërave të heshtura dhe ristelkave
Që vetëm fshikullojnë imagjinatën time,
Për ty,
Pa ty,
Dhe e futin brenda kornizave
Frymën tënde
Të hirtë,
Të zezë,
Të vdekshme,
Të ngjashme me mjellmën
E liqenit tim të mbytur…