Paul Pogba u ka treguar bashkëlojtarëve të tij në Manchester Unitedi se dëshiron të largohet nga klubi gjatë afatit kalimtar të verës dhe klubi nuk do ta pengojë transferimin e tij në Real Madrid.
Mesfushori francez ka qenë i përfolur shumë për një largim për herë të dytë nga Old Traffordi dhe gjasat e klubi që të mos e arrijë kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve vetëm sa i kanë shtuar këto dyshime.
Juventusi thuhet se dëshiron ta kthejë Paul Pogbën në Torino, përderisa 26-vjeçari e ka pranuar publikisht se ai është i interesuar për Real Madridin dhe trajnerin Zinedine Zidane, i cili e ka lavdëruar publikisht mesfushorin e Manchester Unitedit.
L’Equipe pretendon se largimi i Pogbës nga Manchester Unitedi tashmë është programuar pasi që janë ngritur edhe më shumë dyshime për të ardhmen e tij në klub. Gazeta franceze shton se Pogba dëshiron të garojë në Ligën e Kampionëve vazhdimisht dhe i pëlqen ideja e të luajturit nën Zidanin në Bernabeu.
Pogba e kishte refuzuar një ofertë nga Real Madridi në vitin 2016, kur vendosi që të kthehet në Old Trafford nga Juventusi, për një shumë që atëherë e bëri francezin lojtarin më të shtrenjtë në botë, 105 milionë euro.
Revista franceze, France Football, raporton se përkundër që Pogbës i pëlqen të luajë nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaerit, Real Madridi nuk i është larguar nga mendja, pasi që beson se ky transferim do t’ia rriste gjasat për ta fituar Topin e Artë.
France Football vazhdon duke shkruar se 26-vjeçari beson se është në moshën e përsosur për t’u transferuar në Real Madrid e madje as qëllimi i trajneri Solskjaer për ta ndërtuar skuadrën e Manchester Unitedit rreth tij nuk ia ka ndryshuar mendjen për këtë gjë.