Pogba ia jep lamtumirën Monacos: Nuk luajta aq sa shpresoja

Prishtinë | 19 Gus 2026 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Aventura e Paul Pogbas te Monaco përfundon pas vetëm një sezoni.

Klubi nga Principata dhe mesfushori francez kanë njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me marrëveshje të përbashkët, ndonëse ish-kampioni i botës kishte kontratë deri në qershor të vitit 2027.

Ndarja vjen para fillimit të sezonit të ri, me të dyja palët që e kanë pranuar se objektivat fillestare nuk u arritën plotësisht.

Pas periudhës së gjatë jashtë fushave për shkak të pezullimit për doping, Pogba e kishte zgjedhur Monacon për ta lartësuar prapë karrierën dhe për t’u rikthyer protagonist në futbollin evropian, shkruan “Gazeta Express”.

Ishte një rrugëtim i karakterizuar nga dëshira për t’u rikthyer në fushë dhe për ta arritur formën më të mirë të mundshme, por i kushtëzuar edhe nga problemet fizike që nuk e lejuan ta kishte vazhdimësinë e dëshiruar.

Megjithatë, Monaco ka dashur ta theksojë profesionalizmin dhe ndikimin që kampioni i botës në vitin 2018 e pati në dhomën e zhveshjes.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, Pogba e shprehu mirënjohjen ndaj klubit dhe tifozëve:

“E falënderoj presidentin, drejtuesit e klubit, shokët e skuadrës, të gjithë stafet dhe të gjithë tifozët që besuan tek unë. Ta përfaqësoja këtë klub dhe Principatën ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme.”

Mesfushori francez e pranoi më pas edhe keqardhjen për mundësitë e pakta që i pati për të luajtur:

“Edhe pse nuk luajta aq shumë ndeshje sa do të kisha dashur, do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që e pata për ta veshur këtë fanellë.”

Tani Pogba duhet të vendosë për kapitullin e ardhshëm të një karriere që ka përjetuar momente të jashtëzakonshme, por edhe pengesa të shumta gjatë viteve të fundit.

Francezi u rikthye në futboll pas një periudhe të gjatë pezullimi dhe e zgjodhi Monacon për të provuar të ringrihej.

Megjithatë, aventura në Principatë përfundoi shumë më shpejt nga sa pritej.

Pogba largohet nga Monaco me vetëm gjashtë paraqitje, ndërsa e ardhmja e tij mbetet tashmë e hapur. /Gazeta Express

Të ngjashme