Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zhgjedhur personelin e rregullt akademik në disa fakultete. Për disa prej tyre u pezulluan vendimet. Për një kandidate të avancuar në nivelin akademik në Oxford dhe Universitetin e Italisë, u bë telash mungesa e një dëshmie të notave. Probleme pati edhe me zgjedhjen e disa kandidatëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Një prej çështjeve problematike që u parashtrua ishte dispozita e moshës së paraqitjes së kandidatëve.
Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli, ka thënë se kjo gjë duhet të hiqet, pasi sipas tij është kundër të drejtave të njeriut, raporton EkonomiaOnline.
“Unë jam kundër dispozitës së moshës, sepse është kundër të drejtave të njeriut. Kemi thënë që thirrjet nga institucionet nëse janë me kritere të universitetit i pranojmë, nëse nuk janë nuk i pranojmë. Nëse kandidati e ka marrë thirrjen e parë pasi t’i bëjë 50 vjeç, ajo më nuk vlen në aspektin e moshës. Mirëpo nëse fakulteti ka nevojë për këtë kuadër, atëherë do ta pranojmë,” është shprehur Dugolli.
Njëri kandidat nuk u pranua si staf akademik për shkak të mos dorëzimit të transkriptës së notave, me gjithë studimet e kryera jashtë vendit, ndërsa u komentua edhe fakti se kandidatë të tillë nuk po pranohen, kurse ata me lidhje familjare po.
“Na shpjegoni, jo e ka dhëndër, e ka… Kandidatja ka doktoruar në Zvicër. Na shpjegoni pse kjo kandidate nuk i plotëson kushtet,” ka thënë Myrvete Pacarda, dekane e Fakultetit të Mjekësisë.
“Është rast më specifik që kemi trajtuar ndonjëherë në senat. Kur është hapë konkursi, kemi diskutuar që Universiteti i Prishtinës më mirë të rezervohet. Ndonjëherë duke u thirrë në parime, fshihet diçka tjetër. Nuk dëshiroj të futemi në detaje personale sepse e dëmtojmë imazhin e universitetit dhe atë personal. Sa i përket transkriptës së notave, kandidatja ka diplomuar në Universitet të Italisë dhe në Oxford. Ka punu një vjet në Tribunalin e Hagës dhe kjo i bënë nder gjithë shqiptarisë, e aq më shumë universitetit. Të vendosim drejtë, mos ta njollosim UP”, ka thënë senatori i Fakultetit të Juridikut, Avni Puka.
Dugolli ka thënë se nëse vërtetohet një gjë e tillë me dokumente duhet të veprohet drejtë.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Pukës rreth këtij rasti.
“Pse janë ngritë këto dilema? Është pikërisht për shkak të dekanit Haxhi Gashi. Për rektorin, për universitetin, jemi të informuar të gjithë se bëhet fjalë që është refuzu vëllau i gruas së Gashit. Që ka pasë ndërhyrje në këtë proces, në formular. kur e kemi dorëzu raportin e pranimit, që nuk është propozu miku i tij, ka ardhë shkresa për anulim.”
I acaruar nga kjo situatë e krijuar në senat, është shprehur edhe senatori i fakultetit të Edukimit, Naser Pajaziti.
“Ligjet zbatohen, nuk votohen. Cila është ana ligjore? A është e ligjshme, apo jo? Mos na qitni në lajthitje këtu”.
Probleme pati edhe me zgjedhjen e disa kandidatëve në Fakultetin e Mjekësisë, raporton EO.
Suzana Manxhuka – Kërliu, dekane në këtë fakultet tha se përzgjedhja e këtyre kandidatëve, sidomos në repartin e mamisë është bërë për shkak se ky departament nuk ka akreditim.
“Mamia nuk është e akredituar. Na është thënë se nëse doni akreditim, duhet të siguroni staf akademik”.
Dugolli, ka shtruar edhe një çështje të stafit në këtë mes, duke thënë se stafi nuk mund të mbushet as me studentë të kolegjeve private.
“Nëse lejojmë të mbushet stafi i mjekësisë nga studentë të kolegjeve private, nuk mendoj që është në rregull që senati të bijë në këtë nivel. Nuk mendoj që stafi i rregullt të mbushet me studentë të kolegjeve të tilla. Nuk e mbështes këtë”.
Derisa u shtrua kjo si çështje e rëndësishme aq sa problematike rektori, Marjan Dema, në përputhje me anëtarët e senatit, vendosi që kjo çështje të dërgohet në Komisionin Statutar.
Probleme të tilla u paraqitën edhe në përzgjedhjen e kandidatëve të fakulteti të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ku theks kryesor iu vu rastit të mungesës së punimeve shkencore. Rektori edhe në këtë rast tërhoqi vëmendjen e anëtarëve, duke u thënë të votojnë për atë që është më e drejtë.
“Kemi luftuar shumë së bashku që ta heqim fuqinë e gishtave. Veproni sipas rregullave në fuqi. Mos votoni për atë që duam ne, por për atë që është e drejtë”.
Të njëjtën thirrje përsëriti edhe prorektori Hysen Bytyqi, mirëpo thirrja e tij nuk u mirëprit nga senati.
“Mos bëni tregti me vota”, tha prorektori Bytyqi.
“Ndoshta jeni tu bo vet tregti. Kush po bënë tregti?”, tha dekani i fakulteti të Ekonomisë.
Ndërsa, për departamentin e Gjeografisë, u kërkuar që të shqyrtohen rastet dhe të merren parasysh për shkak të numrit të vogël të stafit, me vetëm katër profesorë të rregullt.
Pika tjetër e shqyrtuar ishte regjistrimi i gjashtë kandidatëve në doktoraturë, të larguar nga universiteti në vitin 2013, për shkak të një parregullsie të mesatares së notave, në të cilën kandidatët ishin listuar të pranuar në fakultet, mirëpo pas shqyrtimin se kanë mbetur studentë me mesatare më të mirë jashtë studimit, listimi është bërë edhe një herë.
“Një grup kandidatësh që në kohën e rektorit Gashi, njëherë janë pranuar e pastaj janë hequr nga lista. Ata që kanë paditë, iu kanë kthyer studimit, ndërsa ata që nuk kanë bërë padi nuk janë kthyer. Nëse një grupi i jepet e drejta, t’i jepet edhe të tjerëve. Ne si fakultet e mbështesim këtë”, ka thënë dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lendita Rugova.
Ajo ka thënë se preteksti që kanë bërë studentët që kanë mbetur jashtë studimeve ka qenë se “nuk duam me paditë shtëpinë tonë”.
Ndjekja e ligjëratave të doktoraturës ishte një prej çështjeve të tjera që u dërgua në një komisioni të veçantë për shqyrtim, pasi nuk ranë dakord për një vendim.
Derisa dekani i fakultetit Ekonomik, But Dedaj dha propozimin që të formohet një grup punues dhe të zhvillojë kontrata në të cilin studentët do të nënshkruanin që është i/e rregullt, rektori Dema tha se kjo ka të bëjë edhe me implikime financiare, ndërsa dekanja Rugova tha se jo të gjithë mund të jenë të interesuar të vazhdojnë për mësim.
Aty u vendos që të vazhdohet kohëzgjatja e doktoraturës deri më 30.09.2019.