Polica kryen bastisje në Varagë, nuk ka të arrestuar

Prishtinë | 01 Dhj 2024 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka kryer bastisje nëpër lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit

Bastisjet janë zhvilluar në Varagë të Zubin Potokut, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Janë kry bastisje, përreth vendit ku ka ndodhur sulmi. Nuk ka të arrestuar. Është kontrolluar terreni përreth”, ka thënë Elshani për RTK-në.

Policia e Kosovës, dje ka arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kilogram. Sipas tij, se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.

Gjatë bastisjeve janë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.

Të ngjashme