Policë të lënduar, vetura të djegura, reagimet e ashpra nga ndërkombëtarët – krejt çka ndodhi dje në veri

Prishtinë | 27 Maj 2023 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me Policinë e Kosovës e cila deklaroi se po ndihmonte kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.

Ndaj zhvillimeve të djeshme në veri reaguan ashpër ndërkombëtarët, shkruan Reporteri.net.

Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ishte i pari që reagoi ku dënoi veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vazhdojnë nga autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, shkroi Hovenier.

Ky nuk ishte ragimi i vetëm nga SHBA. Reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili përmes një postimi në Twitter tha se “dënon fuqishëm veprimet e Qeverisës së Kosovës” që sipas tij po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin.

”I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurtit të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në postimin e Blinken.

Më pas përmes një komunikate të përbashkët kanëreaguar edhe shtetet e QUINT-it.

Në këtë komunikatë QUINT-I ka dënuar vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

QUINT ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të tërhiqen menjëherë, të qetësohet situata dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFORin. Kanë dënuar sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan dhe gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre me vendimin e Serbisë për të ngritur në gjendje gatishmërie ushtrinë.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ka reaguar edhe senatori amerikan, Chris Murphy, i cil itha se e u zu në befasi nga ngjarjet në veri të vendit.

Për situatën në veri ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku përmes një deklarate kanë thënë se “nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese”

“Bashkimi Evropian dënon shumë ashpër përleshjet ndërmjet Policisë së Kosovës dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

“Të gjithë duhet të ndërmarrin hapa për të ulur situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren duhet të jetë prioritet”, thuhet në deklaratë.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri duke u pajtuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Rhode ka rishpërndarë një postim të Hovenierit përmes të ky i fundit dënoi aksionet e autoriteteve kosovare për të hyrë në objektet e komunave në tri komunat veriore duke thënë që “veprimet e dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në reagimin e tij ka thënë se edhe shteti prej nga ai vjen e mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në veri.

Ka reaguar edhe KFOR-i i cili ka thënë se hyrja e kryetarëve ishte e dhunshme
Edhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh ka thënë se është duke i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Duke bërë thirrje për ulje të tensioneve, ajo ka thënë se zgjidhja e kësaj duhet të bëhet përmes dialogut Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Ziadeh po ndjek me shqetësimin më të madh situatën në zhvillim në veri të Kosovës. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese dhe të ndërmarrin hapa urgjentë për të rivendosur qetësinë. Ajo thekson nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e UNMIK.

Reagime të shumta për situatën e djeshme në veri kanë ardhur edhe nga Shqipëria, nga kryetarët e partive opozitare në Kosovë, por jo vetëm.

Të ngjashme