Tre policët e liruar nga Serbia kanë mbërritur në pikën kufitare me Serbinë, në Merdar, raporton Ekonomia Online.
Në kufi ata janë pritur nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili nuk ka lejuar policët të deklarohen për mediet e shumta kosovare, që po prisnin në kufirin Kosovë-Serbi.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Arrestimi i tyre kishte nxitur reagime të shumta nga institucionet e Kosovës, të cilat edhe kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre.
Policia derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Në Twitter kryeministri dhe presidentja e vendit njoftuan për lirimin e tyre.